Në kryeqytetin serb, Beograd, policia është përplasur me një turmë të madhe protestuesish që kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksandar Vuçiç.

Më shumë se 140,000 qytetarë morën pjesë në protestë, numri më i madh i raportuar në muajt e fundit, ndërsa protestat e drejtuara nga studentët po rrisin presionin mbi qeverinë, raporton BBC.

Turma brohoriste “Duam zgjedhje!”, ndërsa forcat speciale përdorën gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese për të shpërndarë protestuesit. Dhjetëra persona u arrestuan.

Presidenti Vuçiç e cilësoi protestën si pjesë të një “komploti të huaj” për të përmbysur qeverinë.

“Deshën të rrëzonin Serbinë dhe dështuan”, shkroi ai në Instagram. Pesë persona u arrestuan të premten, nën akuzën për përpjekje për grusht shteti, sipas Gjykatës së Lartë të Beogradit.

Pas përplasjeve, ministri i Brendshëm dënoi dhunën nga protestuesit dhe deklaroi se autorët do të mbahen përgjegjës.