Autoritetet iraniane thonë se kanë paralajmëruar një luftanije amerikane të ndryshojë kursin pasi iu afrua ujërave territoriale iraniane në Gjirin e Omanit, në atë që e cilësojnë si një “veprim provokues”.
Sipas mediave shtetërore iraniane, incidenti ndodhi të mërkurën dhe u shoqërua nga ndërhyrja e një helikopteri ushtarak iranian, i cili fluturoi pranë luftanijes me raketa “USS Fitzgerald”.
Në pamjet e publikuara, një anëtar i ekuipazhit iranian dëgjohet duke lëshuar paralajmërime radiofonike në anglisht, duke kërkuar që luftanija të ndryshojë kurs. SHBA e ka përshkruar përballjen si “profesionale” dhe “pa ndikim” në misionin e saj.
Sipas Teheranit, luftanija amerikane u tërhoq pas paralajmërimeve të vazhdueshme, megjithëse raportimet thonë se ajo kërcënoi se do të shënjestronte helikopterin iranian nëse nuk largohej.
Ky është takimi i parë i raportuar publikisht mes forcave detare të dy vendeve që nga përshkallëzimi i tensioneve në rajon në qershor pas konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit.





