Nuk është lufta e Europës. Nuk është lufta e NATO-s.
Qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj Donald Trump përmblidhet në këto pak fjalë dhe në një pozicion të fortë që, me zgjatjen pa afat të luftës në Iran, mund të ketë pasoja të paparashikueshme.
Të mbledhur rreth tryezës në Europa Building, ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së, megjithëse me nuanca të ndryshme, gjetën një unitet të pazakontë duke iu përgjigjur me një “për momentin jo” të ftohtë kërkesës amerikane për të ndërhyrë në Ngushticën e Hormuzit.
“Në moment nevoje, aleatët nuk janë aty, këtë e them prej vitesh”, ishte përgjigjja e Trump.
Një tjetër kritikë e fortë nga ana e tij, ndoshta edhe një paralajmërim i tërthortë, që duket sikur lë të kuptohet se presioni i Uashingtonit për një ndërhyrje ushtarake europiane është i destinuar të rritet.
Në selinë e BE-së dita ishte e tensionuar, e shënuar nga emergjenca energjetike dhe kritikat e Trump gjatë natës europiane.
Presidenti amerikan kishte kërcënuar disa orë më parë me “një të ardhme negative” për NATO ndërsa ministrat e 27 vendeve u takuan në Bruksel.
Një nga një, nga gjermani Johann Wadephul te vendet baltike, nga Antonio Tajani te spanjolli José Manuel Albares, deri te Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas, të gjithë refuzuan kërkesën e SHBA-së.
Refuzimi i Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, për shkak të qartësisë së mesazhit dhe aleancës historike me SHBA-në, u duk më i bujshmi.
“Lufta në Iran nuk ka asnjë lidhje me NATO-n”, shpjegoi zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Pak më vonë kancelari Friedrich Merz e përforcoi këtë duke theksuar se lufta në Iran “duhet të përfundojë” dhe duke kritikuar Trump për “objektiva të paqarta” të misionit. “Për sa kohë vazhdon konflikti nuk do të dërgojmë anije”, deklaroi Merz.
Edhe Mbretëria e Bashkuar mbajti në thelb të njëjtin qëndrim. Trump tha se kishte kërkuar ndihmë nga kryeministri Keir Starmer, por kishte marrë refuzim nga Downing Street.
Londra, në rastin më të mirë, do të dërgojë vetëm dronë për çminim detar.
Trump shprehu habi për refuzimin britanik.
Ndërkohë Antonio Tajani, pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, theksoi se Italia nuk do të hyjë në luftë dhe se misioni europian Operazione Aspides nuk do të ndryshojë mandatin e tij për t’u shtrirë në Hormuz.
Situata e jashtëzakonshme e luftës së Trump po sjell edhe zhvillime të papritura në politikën e brendshme italiane, duke bashkuar në qëndrime Antonio Tajani dhe liderin e Lega-s Matteo Salvini.
“Nuk hyjmë në luftë me askënd”, deklaroi zv.kryeministri.
Edhe kryeministrja Giorgia Meloni kishte shprehur ide të ngjashme në Parlament javën e kaluar.
Ndërkohë në Bruksel po qarkullojnë dy hipoteza për ndërhyrje në të ardhmen. E para lidhet me një rol të Kombeve të Bashkuara, ndërsa e dyta, e propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, parashikon një mision për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, por vetëm pas përfundimit të fazës së parë të konfliktit.
Nga ana tjetër Trump vazhdon të japë sinjale, kërcënime dhe siguri të ndryshme pa një logjikë të qartë. Ai tha, për shembull, se beson që Franca do ta ndihmojë SHBA-në në Hormuz, ndërkohë që media raportojnë se Parisi ka përsëritur refuzimin për të dërguar anije ushtarake pranë Iranit.
Sipas Wall Street Journal, një koalicion i mundshëm për mbrojtjen e Hormuzit mund të shpallet nga Uashingtoni në fund të kësaj jave, por për momentin nuk ka shenja konkrete.
Ndërkohë Irani paralajmëroi se një ndërhyrje tokësore do të ishte plotësisht e paligjshme dhe për amerikanët do të kthehej në “një Vietnam tjetër”.
Megjithatë, rrugët e naftës në rajonin e Gjirit Persik nuk kalojnë vetëm nga Hormuzi. Po diskutohet edhe mundësia e transportit të naftës përmes Irakut, ndërsa kriza energjetike vazhdon.
Të enjten, liderët e BE-së do të diskutojnë të gjitha këto çështje në një samit që pritet të jetë shumë delikat për pozicionin e Europës dhe për marrëdhëniet e saj me Amerikën e Trump.





