Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Pikat mbi i”, foli mbi përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, që lindën pas vendimit të kryedemokratit Basha për të pezulluar liderin historik Sali Berisha.
Sipas Fevziut, partia nuk duhet të merret peng nga asnjë prej të dyve, ndaj ata duhet “të hapin krahun”.
Për sa i përket personit që duhet të jetë në krye të PD-së, Fevziu nuk zgjodhi as Bashën as Berishën, por theksoi se Partia Demokratike ka nevojë për një kryetar të ri, i cili nuk duhet të jetë më shumë se 35-vjeç, me qëllim që të përthithë të rinjtë.
“Problemi është humbja e zgjedhjeve. Kur dëgjova Ramën, unë dëgjova që ai e nisi me kritika, tha nuk keni bërë aq sa duhet. Pra hyri në fushatë për zgjedhjet e Ramës. Ndërkohë, te PD-ja nuk pamë këtë, demokratëve u tha mbajeni kokën lart.Në PD nuk u bë asnjë diskutim i vetëm, ore çfarë ndodhi që jemi këtu.
A duhet të hapemi a të mbyllemi. Rama fitoi zgjedhjet. Është i pakontestueshëm sot. Ndërkohë, në Kryesinë e Partisë futi Ditmir Bushatin, kritikun e tij më të madh. Në PD, nuk u fut asnjë nga kritikët e Bashës. Agron Shehaj, më ti votuari, Bardh Kadilli.
Nëse ti do një parti për të fituar zgjedhjet, të duhet një parti e hapur. PD ka nevojë për një drejtues që të mos jetë më shumë se 35-40 vjeç. Një i ri. Basha dhe Berisha duhet të largoheshin nga PD, pse jo. Të dy. Pse të merret partia peng.
Këta njerz nuk mund ta rivitalizojnë më partinë. Pavarësisht se janë shumë të lidhur me të. Që të tërheqësh të rinjtë duhet të kesh një lider të ri. Nuk e tërheq një të ri një 50 vjeçar.”,- u shpreh Fevziu.