Një tifoz i Liverpoolit është në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën, pas përplasjeve të dhunshme mes ultrasve të skuadrës angleze dhe atyre italiane të Romës para takimit të parë gjysmëfinal të Championsit, që u mbyll me fitoren 5-2 të “The Reds”.
Sipas burimeve lokale, policia ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshimitarë okularë apo çdokënd që ka arritur të filmojë përplasjen mes tifozëve pranë një lokali, në zonën e stadiumit. Në këtë zënkë masive, që mund të kishte patur pasoja të rënda, kanë marrë pjesë rreth 80 ultras verdhekuq, disa prej të cilëve mbanin në duar rripa pantallonash, madje njëri prej tyre edhe një çekiç.
Një shishe uji e hedhur në drejtim të tifozëve të Liverpoolit, në një rrugë dytësore, mësohet se ka shërbyer për të ndezur sherrin masiv, edhe pse autoritetet vendëse kishin marrë masa shtesë për të shmangur incidente të tilla. Policia angleze ka konfirmuar arrestimin e dy të rinjve italiane të moshës 25 dhe 26 vjeç, për tentativë vrasjeje, teksa kanë plagosur rëndë një tifoz 53-vjeçar të Liverpoolit me origjinë irlandeze. Janë ndaluar edhe 7 tifozë të tjerë për dëmtim të pronës, posedim të drogës ose armëve të të ftohta.
Pas plagosjes së rëndë të tifozit 53-vjeçar, ka reaguar me një qëndrim zyrtar edhe klubi i Liverpoolit, ku thekson se është i shokuar me atë që ka ndodhur dhe se i gjendet pranë në këto momente të vështira tifozit të dëmtuar.





