Porti detar i Durrësit ka pritur një nga anijet më të mëdha që kanë hyrë ndonjëherë në 30 vitet e fundit. Anija “VELA”, qëndroi dy ditë në kalatën lindore të portit dhe ka ngarkuar mineral hekuri me një sasi prej 52 mijë ton. Anija gjigande në fakt nuk mundi ta marrë të gjithë këtë sasi për shkak se kalata lindore e portit nuk lejon zhytje më të madhe se 11 metra për anijet e transportit të mallrave. Në kushte të tilla, Autoriteti Portual sh.a ka vendosur që gjysma e sasisë së mineralit të ngarkohet në kalatën lindore, ndërsa më pas anija ka dalë në det të hapur dhe aty është sjellë sasia tjetër prej 27 mijë ton me dy anije ndihmëse të portit. Ky proces është menaxhuar në bashkëpunim të plotë mes portit të Durrësit dhe kompanisë gjermane “ASC”.
Zyrtarisht bëhet me dije se kjo metodë e përpunimit do të përdoret për ngarkesat e mëdha deri kur të realizohet projekti i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës në portin e Durrësit. Drejtori i autoritetit portual, Eduard Ndreu, është shprehur se thellësia e portit është e kufizuar dhe prandaj u vendos që anija të ngarkohet me kapacitetin e saj normal, por duke e përfunduar ngarkimin në det të hapur. Më tej Ndreu ka bërë me dije se shumë shpejt do të nisë puna për të vijuar thellimin e lënë në mes nga një kompani e huaj disa vite më parë. Drejtori Ndreu është shprehur se janë kryer studimi i fizibilitetit dhe ai i ndikimit në mjedis, por tashmë po kërkohet financimi që nevojitet. Anija me flamur norvegjez “VELA” është 192 metra e gjatë, 32 e gjerë dhe me zhytje 12.8 metra. Anija tjetër e këtij lloji është ankoruar në portin e Durrësit në korrik të vitit 1990 dhe kishte një kapacitet prej 35 mijë ton.