Një vepër e veçantë artistike me autor arkitektin e mirënjohur durrsak Indrit Hamiti i është shtuar Durrësit.

Vepra, e cila gjendet te shëtitorja Taulantia, është realizuar me material inox & corten dhe shoqërohet me mbishkrimin “Shërbejmë Përtej Vetvetes,” një mesazh për të gjithë banorët e qytetit për të shërbyer e kontribuar në shoqëri njekohesisht dhe nje nga motot e Rotary.

Vepra “Përqafimi i Eterit” i shtohet dekorit hapsinor të Durrësit duke shpalosur një vlerë artistike të kulluar e cila përmban konceptin e kuintesencës, materien e universit, si një simbol i gjithësisë dhe plotësisë, një paralelizëm i familjes njerëzore globale, e plotë dhe e ndërlidhur nga çdo komb e kulturë. Eteri, si një element i pastër që lejon përçimin e dritës shërben si mesazh i ndriçimit, i sistemit të vlerave më të larta njerëzore që pasohen te të tjerët, si një ilustrim i përgjegjësisë qytetare për të shërbyer përtej vetes.

Vepra është fluide dhe lëviz me një dinamikë vertikale, porsi një kambanë e stilizuar që i thërret njerëzit në veprim. Ajo rrjedh përmes spirales, forma e përsosur e përqafimit të pambarimtë, gjithnjë e në vazhdim e pa pikë fundore, si një mesazh i vazhdimësisë së misionit sublim komunitar për të vepruar e shërbyer. Është një model i një pasqyre të ndërgjegjes komunitare përballë çdo sfide e dinamike të kohës.

Vepra qëndron përballë detit, horizontit dhe pozicionit të perëndimit të diellit, duke transmetuar vetëdijshëm mesazhin se kontributi i bashkësisë qytetare është një vlerë e patjetërsueshme që mund të përballet me çdo dallgë të jetës, të përshkrojë çdo horizont e të kontribuojë për një agim të ri për qytetin, vendin dhe mbarë botën.

Kjo vepër e cila u inaugurua personalisht nga Presidentja e Rotary International Stephanie Urchick është një vlerë e shtuar artistike për Durrësin por do shërbejë edhe si simbol i angazhimit vullnetar qytetar dhe një ikonë e kujtesës kolektive se shërbimi ndaj njerëzve dhe komunitetit mbetet një thirrje e brendshme dhe publike për të gjithë ne.