1 Tetor 2014 – Vazhdon të cënohet një hapësirë e gjelbër dhe sot më 1 Tetor kjo rëndon dhe më shumë. Vërtet Bashkia bën mirë dhe e përgëzojmë që u ofron një drekë të moshuarve të Qendrës Ditore, por a po sillet po kaq fisnikërisht, teksa i merr atyre dhe të fundmen hije falas në lulishten e sheshit “Liria”?!

Përveç  kësaj të presësh pemët është një e keqe shumëformëshe. Sipas një studimi të realizuar në Shtetet e Bashkuara dhe të publikuar në “Environmental Pollution”(Ndotja e ambjentit), gjethet shkatërrojnë disa ndotës që infektojnë ajrin duke shpëtuar kështu jetë njerëzish. Për më tepër, në mes të gjelbërimit respirohet më mirë.

Po të moshuarit tanë, pensionistët tanë ç’ i pret ?! Ku do të mund të qëndrojnë ata gjatë kohës së lirë që e kanë me tepricë dhe me mundësitë minimale apo pamundësitë për të frekuentuar kafenetë?!

 Sërish thirrja agonike për mëshirë ndihet në Durrës. Këtë herë thërret natyra për pemët e prera, sepse të presësh ose të shkulësh pemë është njëlloj si të shkulësh rrënjët e së kaluarës; sikur do të fshish një histori që nga themelet. Këtë herë thërret shpirti njerëzor të cilit i rrëmbehet “oazi” i fundit falas i pleqërisë.

A është kryer ndonjëherë një përllogaritje e thjeshtë se sa metra katrorë gjelbërim duhet të ketë për frymë në qytet?!Prerja  duhet të shihet në kontekstin e një diskutimi më të gjerë. Ato mund të priten vetëm kur janë të sëmura dhe të rrezikshme, ose në qoftë se ato ndërhyjnë në një destinacion të rëndësishëm rrugor, por kurrsesi për një projekt me pemë gjetherënëse e të shpërndara.

Teksa në shesh kanë mbetur vetëm dy pemë stoike në pritje të verdiktit final me dhembjen e madhe të një historie që fshihet, me trishtimin e asaj amvisës së mirë që nuk mund të presë dhe të sejdisë më mysafirët e saj. Këto dy pemë janë dëshmitaret e fundit të një legjende e cila do të fillojë me: “Na ishte dikur një shesh plot pemë…”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/