Përtej kursimit të kohës dhe parave, ushqimi i ngrirë po shfaqet si një mjet i rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi ushqimor më të qëndrueshëm.

Një anketë e fundit e zhvilluar nga kompania më e madhe e ushqimeve të ngrira në Evropë, Nomad Foods, tregon se 47 përqind e konsumatorëve evropianë zgjedhin produkte të ngrira me qëllimin për të zvogëluar shpërdorimin e ushqimit.

Duke qenë se çdo vit në Bashkimin Evropian krijohen rreth 59 milionë ton mbeturina ushqimore, ngrirja shihet si një zgjidhje praktike dhe efikase për ruajtjen e ushqimit dhe reduktimin e emetimeve ndotëse.

Sipas ekspertëve, ngrirja e zgjat jetën e produkteve ushqimore, duke reduktuar ndjeshëm sasinë e ushqimeve që përfundojnë në kosh.

Në deponi, këto mbetje çlirojnë metan, një nga gazrat më të fuqishëm serrë. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, mbeturinat ushqimore përbënin rreth 18 milionë ton emetime të tilla gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Për këtë arsye, organizatat si FareShare punojnë për rishpërndarjen e ushqimeve të tepërta dhe theksojnë rolin e ngrirjes në rritjen e efikasitetit dhe solidaritetit social.

Raporti “Frozen in Focus” i Nomad Foods e sheh ngrirësin si “gurthemel të një jete të qëndrueshme dhe ushqyese”, ndërsa të dhënat tregojnë se Mbretëria e Bashkuar prin në këtë trend, me gati 60 përqind të qytetarëve që preferojnë të blejnë ushqim të ngrirë për të shmangur shpërdorimin.

Italia ndjek me 50 përqind, Franca me 49 përqind, Suedia me 43 përqind dhe Gjermania me 44 përqind.

Megjithatë, vetëm një përqindje më e vogël e konsumatorëve e shohin ushqimin e ngrirë si kontribues të drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë afatgjatë.

Përveç kësaj, përpjekje po bëhen për ta bërë vetë frigoriferin më miqësor ndaj mjedisit.

Një iniciativë e nisur në COP28 me emrin “Move to -15°C”, që përfshin kompani të mëdha si Maersk, Iceland dhe Morrisons, sfidon standardin tradicional të -18°C, duke promovuar një temperaturë më të lartë që kursen energji pa ndikuar në cilësinë e ushqimit.

Studimet tregojnë se ndryshimi në -15°C mund të ulë konsumin e energjisë me 10 për qind.

Ndërsa konsumatorët evropianë bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për ndikimin mjedisor të zgjedhjeve të tyre, ushqimi i ngrirë del në pah si një opsion i fuqishëm për të luftuar shpërdorimin, për të mbrojtur mjedisin dhe për të ndërtuar një zinxhir ushqimor më efikas e të përgjegjshëm.