Nga Mentor Kikia
Unë nuk mendoj që ky burrë ka ndonjë shanc për tu bërë president i SHBA-ve. Dhe as Kim Kardashian për të qenë zonja e parë e Amerikës. Nuk po analizoj personazhet, pasi ata janë “presidentë” në fushën e tyre. Por ajo që të bën përshtypje është liria që kanë njerëzit për tu futur në një garë politike. Donald Trump e dëshmoi se liria mund të të japë mundësinë që të shkosh deri në Shtëpinë e Bardhë, pa qenë pjesë e kastës politike apo e familjeve-klane që thuhet se kanë lindur për të qenë udhëheqës.
Kandidimi i një rreperi, nuk dëshmon, sikundër kam lexuar disa opinione, se në çfarë “derexheje” është katandisur politika amerikane, por dëshmon se sa e rëndësishme është liria dhe mjedisi i mundësive të barabarta.
Është pikërisht kjo që mungon në këtë gjirizon tonë, ku një grup njerëzish, pasi marrin pushtetin mendojnë se tashmë ata janë pronarë të vendit dhe njerëzve.
Kanye West mund të kandidojë për president në SHBA, por ai nuk mund të kandidojë as për deputet në parlament, e as për kryetar bashkie në Rroskovec. Sepse pronarët e Shqipërisë nuk duan të lejojnë që të tjerë njerëz të guxojnë të futen në një garë, veç atyre që ndodhen në vathën e tyre e që u binden vetëm atyre. Pronarët e politikës e kanë fiksuar në ligj, se në garën politike do të futen vetëm ata njerëz që marrin bekimin e tyre.
Për këtë arsye një njeri i pavarur si Kanye nuk mund të kandidojë e të zgjidhet deputet në Shqipëri. Por një vrasës mundet!
Kanye nuk mund të kandidojë e të zgjidhet kryetar bashkier. Por një trafikant droge dhe tutor poristitutash mundet!
Suksese Kanye, unë gjithësesi nuk po vë bast si Edi Rama kundër Trumpit.