Bilbil Rakipaj
Ka kaluar disa ditë, sepse pas datës 20 shkurt kanë mbaruar zyrtarisht mandatet e autoriteteve drejtuese të shkollave të larta publike universitare në Shqipëri, por Ministria e Arsimit dhe Sporteve vazhdon të mbajë një heshtje ogurzezë pa vënë re se si po rrëshqasin universitetet drejt llumit të paligjshmërisë, mungesës së cilësisë së mësimdhënies, korrupsionit dhe mitmarrjes. Kjo po shkaktohet në fakt nga ekipet drejtuese që u ka mbaruar afati i drejtimit të universiteteve publike. Përse po ndodh kjo anomali? Shkaku kryesor është se drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve po hezitojnë për të shpallur zgjedhjet dhe për të larguar klikën e drejtuesve aktualë të Universiteteve publike që po vegjetojnë që nga fillimet e viteve 2000 duke shkelur çdo rregull dhe ligj dhe akte nënligjore. Hezitimi ka vetëm një shkak: korrupsioni galopant i drejtuesve aktualë të universiteteve publike. Është për të ardhur keq që pas miratimit të ligjit të ri të arsimit të lartë, nuk ka asnjë sqarim, udhëzime, vendime apo urdhra nga ana e M.A.S., për të implementuar ligjin por duke lënë aktualisht dy ligjet; të vjetrin dhe të riun, kanë shkaktuar jo pak problem në Universitete. Kush janë pasojat negative të lënies së të dy ligjeve në fuqi me pretekstin e implementimit të ligjit të ri pas një viti akademik? Pasojat janë shumë negative dhe në dëm të akademizmit në Universitete, pasoja që po sjellin një korrupsion dhe shkelje ligji të përmasave të frikshme.
Kryesoret janë: -Dhënia e titujve akademikë sidomos atyre të titujve `DOKTOR` dhe `PROFESOR i ASSOCIUAR“, e le më të titujve Master Shkencor dhe Profesional, të cilët jepen me para nën dorë pa ndonjë kufizim, sidomos në universitetet e rretheve dhe në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Tiranë.
-Futja pa kritere e njerëzve në punë (Punësimi) nëpër këto universitete publike, duke shkelur kriteret e dhëna, ose duke i futur në punë direkt nëpërmjet punëdhënësit, i cili është në fakt Rektori përkatës.
-Rënia e cilësisë së mësimdhënies e cila është më e rëndë, megjithëse ka akoma Lektorë dhe Pedagogë të ndërgjegjshëm të cilët po përpiqen të ruajnë standardin, por rënia është masive përfshi dhe Universitetet Publike të Tiranës. Shkaqet janë të habitshme por kokëforta! Dihet që ka ndërhyrje nga më të ndryshmet të bëra nga drejtuesit aktualë, kryesisht nga Rektori Dhori, Kule, Rektori Mit`hat Mema, Dekani Petrit Bare, por dhe disa Rektorë dhe Dekanë të tjerë të Tiranës e të Rretheve, tek ministri i Arsimit, tek Sekretari i Përgjithshëm, tek zv/ ministrja e Arsimit, për të shtyrë zgjedhjet, ose për të ndryshuar pikat që urdhëron ligji i ri i arsimit të lartë, me qëllim që këta të rikandidojnë në po ato poste ku janë.
Këto ndërhyrje sigurisht janë shoqëruar me dhurata të majme dhe më ryshfete të shumëllojshme që nga paratë e thata, e deri në futje në punë, fitime të pamerituara titujsh shkencorë për njerëz të caktuar që porositen sidomos nga Sekretari i Përgjithshëm i M.A.S., dhe zv/ ministrja e LSI. Të gjithë e dinë se sa të korruptuar janë drejtuesit e sipërpërmendur por askujt dhe askush nuk i ka prekur qoftë sado pak megjithë ankesat ndaj tyre. Po kështu edhe drejtuesit e tjerë të universiteteve publike po përfitojnë nga kjo gjendje e habitshme `pezulli institucional`, nga ana e M.A.S., për të korrur frytet e fundit të pamerituara të korrupsionit dhe të ryshfetllëkut. Gjithçka është futur në lojë. Më interesantja është madje se, të gjithë këta autoritete drejtuese që komandojnë prej vitesh të zhytur në korrupsion, hajdutllëk dhe ryshfete, këto kohë kanë marrë teserat e LSI, si partia më e përshtatshme për këta njerëz; dhe me sa duket ja paskan arritur qëllimit…Ministria hesht! Shumë pedagogë kanë kërkuar nga M.A.S. të deklarojë zgjedhjet që u ka kaluar afati, por nuk kanë patur asnjë përgjigje. Gjithsesi duhet patur parasysh se edhe nëse bëhen zgjedhjet që praktikisht tashmë do të bëhen me shkelje të afateve, disa zyrtarë të MAS, e justifikojnë shtyrjen e zgjedhjeve me problemin e akreditimit të universiteteve. Kjo është e gabuar sepse në radhë të parë nuk mund të bëhet akreditimi me këta drejtues të korruptuar të cilët po mbajnë peng Universitetet por dhe mesa duket edhe M.A.S. Është më mirë që akreditimi të fillojë pas bërjes së zgjedhjeve nëpërmjet drejtuesve të rinj. Kjo ka sens. Së dyti, zgjedhjet e ardhshme pa larguar këtë klikë të korruptuarish më parë do të ishin jo cilësore sepse klika drejtuese e mafioze e universiteteve publike që i ka kthyer këto universitete publike në pronë të tyre private, ka përgatitur njerëzit e tyre për të drejtuar me qëllim që të vazhdohet hajdutllëku; kështu që nëse kryeministri dhe ministrja e Arsimit u ka mbetur qoftë edhe një pikë sinqeriteti dhe dëshirojnë me të vërtetë që universitetet publike të ecin përpara krahas universiteteve të BE, duhet që para zgjedhjeve të emërojnë Rektorë të rinj për nja gjashtë muaj deri sa të përfundojë akreditimi – e pastaj të bëjnë zgjedhje të rregullta, të shoqëruara me udhëzimet përkatëse. Sidoqoftë, mbetemi të idesë se në Ministrinë e Arsimit është një lob mafioz që po vonon zgjedhjet me qëllim, i cili ka kundërshtuar ligjin e ri heshturazi dhe këta janë: zv/ ministrja e Arsimit, Sekretari i Përgjithshëm i M.A.S., dhe drejtoresha e arsimit të lartë mbi të cilët duhet të këtë një Procedim Penal për të gjitha shkeljet, dhe vonesat, në implementimin e ligjit të ri. U bëj thirrje të gjithë pedagogëve të universiteteve publike, që të mos bien pre e klikave drejtuese aktuale por të mbështesin fort ligjin e Ri, e t’i kërkojnë M.A.S., zbatimin e tij.





