18 janar 2015 – Dy ditët e fundit Durrësi u shndërrua në epiqendër të minave me telekomandë, të ashtuquajturave bomba me celular. Një biznesmeno-kriminel nga Kukësi pësoi atentatin e tretë në dy vjet në zonë e Shkëmbit të Kavajës. Makina e tij, Mercedes – Benz u hodh në erë nga një minë me eksploziv plastik e telekomanduar me celular.
Pa kaluar 24 orë nga atentati, policia goditi një grup të strukturuar kriminal durrsako-hasjan të specializuar në prodhimin e bombave me celular duke përdorur eksploziv plastik.
Nuk bëhet e ditur nëse është përdorur eksploziv C4 apo Semtex. Në mbasditen e së dielës më 18 janar 2015, afër ish kampit të punëtorëve Durrës (Sektori Iliria i plazhit), një fuoristradë Volvo e prodhuar posaçërisht për Angli u përfshi nga flakët pas një shpërthimi.
Për mungesë faktesh nuk mund të shprehemi me bindje, nëse kemi të bëjmë me një shkëndijë elektrike apo me minën e telekomanduar të rradhës. Efektivët e policisë të angazhuar në mënyrë masive në operacione në mbështetje të OSHSE-së dhe të INUK-ut, normalisht nuk mund të mbajnë tre kunguj në një sqetull duke iu kundërvënë edhe akteve të tilla të natyrës terroriste.
Ministria Tahiri siç duket, ndryshe nga homologët evropianë, antiterrorit i jep një përparësi fare të ulët.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





