Merih Demiral është pezulluar me dy ndeshje nga UEFA pas festës në të cilën tregoi ‘përshëndetjen e ujkut’.

Gazeta gjermane Bild, raporton se mbrojtësi tregoi gjestin, lidhur me Ujqërit Gri, një organizatë turke e ekstremit të djathtë, pas golit të dytë kundër Austrisë në Euro 2024.

Kështu Demiral do të humbasë çerekfinalen kundër Holandës të planifikuar për të shtunën dhe në rast se kualifikohen edhe gjysmëfinalen.

“Jam shumë i lumtur që e kam bërë këtë gjest, pasi jam shumë krenar që jam turk”, tha ish-mbrojtësi i Juventusit pas festës.

Gjesti, siç pritej, u kthye shpejt në një rast politik. Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser komentoi:

“Simbolet e ekstremistëve të djathtë turq nuk kanë vend në stadiumet tona. Përdorimi i Kampionatit Evropian të Futbollit si një platformë për racizmin është plotësisht i papranueshëm. Ne presim që UEFA të hetojë rastin dhe të marrë në konsideratë sanksionet”.

Fjalë që nxitën reagimin e Ankarasë, e cila e cilësoi të papranueshëm hetimin e nisur nga UEFA.

“Ata që kërkojnë racizëm dhe fashizëm duhet të fokusohen në rezultatet e fundit të zgjedhjeve në disa vende evropiane”, tha zëdhënësi i partisë së Erdoganit, Omar Celik. Më tej, ambasadori gjerman në Ankara, Jurgen Schulz, ishte thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme turke.

UEFA po ndjek një linjë të qëndrueshme kur bëhet fjalë për ndalimin e mesazheve politike gjatë turneut.