Administrata e presidentit amerikan Donald Trump kërcënoi dje se do të ndalojë universitetin amerikan të Harvardit të pranojë studentë të huaj nëse nuk pranon t’i nënshtrohet një auditimi në lidhje me pranimet e studentëve, rekrutimin akademik dhe orientimin e tij politik.
“Nëse Harvardi nuk mund të demonstrojë se është në përputhje të plotë me detyrimet e tij, universiteti do të humbasë privilegjin e regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë”, tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare.
Donald Trump ka ashpërsuar dje kritikat e tij ndaj Harvardit, duke kërcënuar se do t’i heqë subvencionet federale, krahas heqjes së të drejtës së tij për të pranuar studentë të huaj, pasi ky universitet është bërë shënjestër e betejës së presidentit kundër institucioneve më të spikatura arsimore në SHBA.
“Harvardi mëson urrejtjen dhe marrëzinë dhe nuk duhet të marrë më fonde federale,” shkroi presidenti amerikan në Truth Social, dy ditë pasi ai shkurtoi 2.2 miliardë dollarë grante federale shumëvjeçare për universitetin.
Dy media, CNN dhe Washington Post, raportuan dje se Donald Trump i ka kërkuar zyrtarisht IRS që të eliminojë përjashtimit të tij nga taksat, duke argumentuar se ai duhet të konsiderohet një ent politik për sa kohë që vazhdon të mbrojë çmendurinë e tij politike, ideologjike që është frymëzuar nga terrorizmi.
Ky universitet privat, i cili ka një trashëgimi të madhe prej mbi 50 miliardë dollarësh, gëzon përjashtim nga taksat nga autoritetet tatimore të shtetit federal dhe të Massachusetts. Donald Trump akuzon këtë universitet dhe institucione të tjera të arsimit të lartë se kanë lejuar që antisemitizmi të lulëzojë në kampuset e tyre dhe administrata e tij u ka kërkuar atyre të zbatojnë një sërë masash, duke përfshirë kontrollin e opinioneve të studentëve dhe fakultetit, ose qeveria federale do të ndërpresë subvencionet e tyre.
Por ai u refuzua nga Harvardi. Në një letër drejtuar studentëve dhe pedagogëve, presidenti i universitetit Alan Garber kujtoi të hënën se Harvardi ka ndërmarrë tashmë veprime kundër antisemitizmit për më shumë se një vit dhe siguroi se nuk do të braktisë pavarësinë ose të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë, siç është Amendamenti i Parë për lirinë e shprehjes.
“Asnjë qeveri, pavarësisht nga partia në pushtet, nuk duhet t’u diktojë universiteteve private se çfarë duhet të mësojnë, kë mund të pranojnë ose punësojnë, ose për cilat tema mund të bëjnë kërkime,” shtoi ai.