Vijojnë kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Komisariateve në varësi, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë shtetas Isuf Koçi në Shijak, pasi përshtati banesën për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të kontrolleve të pandërprera, gjatë punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 38 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, u konstatua se kishte përshtatur banesën e tij me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan fidanë narkotikë cannabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.





