Në lidhje me pamjet filmike të publikuara në media ku disa persona dhunonjë një të ri në një lokal në Fushë Krujë, policia sqaron se është bërë shoqërimi i të dyshuarve.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 17 shkurtit dhe i lënduar ka mbetur 30-vjeçari Elvis Elezi, i cili është goditur me sende të forta dhe ka përfunduar në spital.
Sipas njoftimit të policisë, agresorët dyshohet se kanë qenë të armatosur.
NJOFTIMI I POLICISË
Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në media, ku shfaqen disa persona duke dhunuar një shtetas në një lokal, ju sqarojmë se:
Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, në ambientin e një lokali në Fushë Krujë, kanë hyrë disa persona ende të paidentifikuar (dyshohet të armatosur), të cilët kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në kokë shtetasit E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në banesën e tij.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. E. është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, të cilët kanë bërë shoqërimin e disa shtetasve të dyshuar dhe në cilësinë e provës materiale janë administruar disa pamje filmike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë vijojnë punën intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.





