DURRËS,1 shtator 2013 -Një grabitje me armë si nëpër filma është realizuar në mes të ditës me diell në Durrës. Një dyqan argjendarie është bërë pre e një grabitje nga persona të armatosur sot pasdite në qytetin e Durrësit, por fatmirësisht nuk pasur të lënduar.
Ngjarja u shënua sot rreth orës 15:00 minuta pranë tregut industrial të qytetit bregdetar. News24 mëson se 3 persona të armatosur kanë zbritur nga makinë me xhama të errët dhe me maska e armë në duar kanë hyrë në argjendari duke vjedhur sende floriri dhe një sasi parash. Grabitja ka ndodhur në harkun e pak minutave.
Dyshohet se nga grabitja, pronari është dëmtuar në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra.
Menjëherë pas grabitjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet që i priste jashtë derës.
Policia në vendngjarje ka marrë në pyetje shitësen, pronarin e argjendarisë si dhe dëshmitarë që kanë qenë prezent gjatë grabitjes.





