Universiteti Ndërkombëtar në Strugë organizoi takim përkujtimor për nder të kontributit të çmuar të njërit prej personaliteteve më të shquar në fushën e arsimit, shkencës dhe politikës, Prof. Dr. Luan Hajdaraga.

Për të shprehur respektin dhe konsideratat më të larta për rolin e pazëvendësueshëm dhe gjurmët e thella në edukimin e gjeneratave të reja, të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të pushtetit lokal dhe qëndror të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë si presidenti Ilir Meta, ish-kryetari i Kuvendit Namik Dokle, deputeti Taulant Balla, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti etj.

Gjithashtu në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, miq, kolegë dhe studentë të të ndjerit Prof. Luan Hajdaraga. Të pranishmit ndanë histori personale dhe përjetime emocionale nga koha e shoqërimit dhe raportet e punës me të ndjerin Prof. Luan Hajdaraga. Duartrokitjet dhe përlotjet shoqëruan gjatë gjithë kohës takimin përkujtimor.

Këshilli Mësimor Shkencor i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë pranë “Institutit për Europianistikë dhe Politikë Ndërkombëtare” dhe në akordim me vendimin në fuqi riemërton Institutin për Europianistikë dhe Politikë Ndërkombëtare, me emrin e Prof. Dr. Luan Hajdaragës.

Ceremonia e riemërtimit të Institutit për Europianistikë dhe Politikë Ndërkombëtare pasoi me dhënien e certifikatës së mirënjohjes “Post Mortum” nga Bordi drejtues i UNS drejtuar familjarëve, si dhe nuk mungoi një dhuratë simbolike nga ana e studentëve, të cilët i dhuruan familjarëve të të ndjerit një nga shprehjet motivuese per arsimimin e të rinjve nga Prof. Dr. Luan Hajdaraga të perdorura gjatë leksioneve të tij.

Bordi Drejtues i UNS miraton dhënien e bursës të plotë studimore e titulluar "Prof. Dr. Luan Hajdaraga”, e cila për vitet akademike 2017-2019 iu akordua studentes Xhensina Boja, viti i dytë, drejtimi Fakulteti i Shkencave Politike.

UNS vlerëson me respekt dhe mirënjohje kontributin shkencor-akademik të Prof. Dr. Luan Hajdaragës duke përjetësuar kujtimin e tij nëpërmjet takimit komemorativ të organizuar në 22 Nëntor në ambientet e UNS.