Me një profil profesional të investuar në Forcat e armatosura detare, Velaj, prej një viti e gjysmë drejton Forcën e Sigurisë Portuale në Autoritetin Portual Durrës, për t’a orientuar atë në forcë elitare, në funksion të sigurisë.
Me një eksperiencë gati 19 vjeçare, Alfred Velaj është diplomuar në Akademinë Detare të Vlorës në vitin 2002 dhe menjëhere pas përfundimit të studimeve, mori detyra komanduese në anije të ndryshme të Forcës Detare/ Rojes Bregdetare dhe deri komandimin e anijes “Iliria” (P-131), në Flotiljen Veriore Durres, ku njëkohësisht shërbeu edhe si drejtues i Grupit të Dytë të Patrullës.
“Zgjedhja ime për t’ju bashkuar ekipit drejtues të Autorietit Portual Durrës, është një sfidë profesionale që kërkon angazhim maksimal, duke patur parasysh rolin e rëndësishëm të efektivit të FSPD-së në garantimin e sigurisë në Portin më të madh në vend. Në një vit e gjysmë, në këtë detyrë kemi bërë shumë avancime, por kjo na vendos përballë përgjegjësive për të qënë në lartësinë e duhur të detyrave funksionale, që personalisht mendoj se asnjëherë nuk përfundojnë së përmirësuari çdo ditë”, shprehet Velaj.
Pas specializimit në Institutin e Hidrografisë Italiane në Xhenova, në vitin 2017, kapiten Velaj shërbeu si komandant në Shërbimin Hidrografik deri në pensionimin rezervë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, z.Velaj është vendosur në disa misione ndërkombëtare në Detin Egje, si dhe misione të shumta brenda vendit në sherbim të komandës detare.
Që prej Prillit 2020, kapiten Velaj drejton Forcën e Sigurisë së Autoritetit Portual Durrës. /APD