9 tetor 2015 – Sot, një pjesë e personelit të Forcës Detare dhuroi gjak për spitalin rajonal publik “Ihsan Cabej” Lushnjë. Fillimisht dhuroi gjak Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra, i ndjekur nga kuadro dhe specialistë të tjerë në Shtabin e Forcës dhe repartet vartëse. Madje në këtë proces humanitar dhuroi gjak dhe kapter Servet Lamaj, nga Pika Sinjalovrojtuese Palermo.
“Ky akt është sa human dhe qytetar, sepse shpëton direkt jetë njerëzish”, thotë kapter Lamaj, një nga dhuruesit e përditshëm të Forcës Detare. Mjeku transfuzolog Mehmet Xhindoli dhe infermierët Nertil Plaka dhe Akostin Pepa, të spitalit Lushnjë, shprehën mirënjohje për këtë akt human të personelit të Forcës Detare.
“Jemi spitali me më shumë pacientë talasemikë në vend. Kemi rreth 200 fëmijë, kryesisht nga Lushnja dhe Fieri, të cilët kanë nevoja urgjente për gjak, e duan 2 herë në muaj. Kjo është zonë që ka ende problem mbeturinat e malarjes, ka ende embrione të saj nga trashëgimia e prindërve, ndaj kurimi për të do kohën e vet”, thotë Dr. Xhindoli.
Në këtë proces mori pjesë dhe Kordinatorja e Përgjithshme e Kryqit të Kuq Shqiptar, Dega Durrës, zonja Ermira Guza, bashkë me dy studente vullnetare të shoqatës humanitare, Ira Bida dhe Irilda Braho. Zonja Guza thotë së është problem dhurimi i gjakut në qarkun e Durrësit dhe më gjerë, pavarësisht fushatës sensibilizuese.
“Ne si institucion, pas dhurimit hartojmë një procesverbal dhe bëjmë analizat përkatëse të gjakut për çdo dhurues”.
Ndërkohë, specialistët theksuan nevojën e përpilimit të kartelës përkatëse për çdo dhurues. Shefja e Shëndetësisë e Forcës Detare, N/Kolonele Shpresa Gjini na informoi se çdo vit efektivët e Forcës Detare kanë dhuruar gjak kryesisht për Spitalin Rajonal Durrës, ndërsa këtë vit për Spitalin Rajonal Lushnjë.
Nag Shefqet Kërcelli
/portali DurresLajm/