Paraditen e kësaj të enjteje, Prefekti i qarkut Durrës Roland Nasto, bashkë me stafin e tij zhvilluan një vizitë në Komandën e Forcës Detare.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me misionin dhe detyrat që ka Forca Detare në përballimin e situatave të ndryshme detare dhe bashkëpunimi ndërinstitucional për emergjenca të këtij lloji.
Prefekti Nasto dhe Personeli i Prefekturës u pritën nga Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Artur Mecollari.
Mbasi i uroi mirëseardhjen, Mecollari i njohu shkurtimisht vizitorët me historikun e Forcës Detare, misionin, detyrat që zgjidh si Forcë Detare dhe Roje Bregdetare, mjetet që disponon, organizimi, detyrimet në kuadër të aleancës, bashkëpunimi midis institucioneve detare për monitorimin e situatës detare, bashkëpunimi dhe nisma rajonale “Adrijon”, operacionet e kryera në kuadër të NATO-s, ku mund të veçohet ai “Seaguardian” në Mesdhe, përpjekjet për modernizimin e Forcës Detare, etj.
Me theks u evidentuan operacionet e kryera në hapësirën tonë detare, por dhe operacione të kryera në bashkëpunim me prefekturën e Durrësit, si ai për pastrimin e një zone ujore nga predhat në Porto-Romano.
Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin midis FD dhe prefekturës në çdo emergjencë detare që përfshin bregdetin e qarkut të Durrësit.
Në vijim, personeli i prefekturës Durrës vizitoi ambientet e Komandës Durrës, ku u njoh me pjesë të historisë së FD e traditës detare të popullit shqiptar në vite.





