Aventura e Japonisë në kampionatin botëror “Rusi 2018” përfundoi mbrëmjen e të hënës, pasi u eliminua nga Belgjika në fazën e 1/8-ave, falë fitores 3-2.
Samurait bënë një paraqitje mjaft të mirë, duke arritur të kalojnë në avantazh të dy golave, në fillim të pjesës së dytë, por nuk ia dolën të ruajnë rezultatin dhe pësuan 3 herë në 25 minutat e fundit të sfidës.
Gjithsesi, më shumë se për paraqitjen në fushën e lojës, japonezët këtë herë do të mbahen mend për shembullin dhe leksionet e higjienës, që i dhanë botës mbarë.
Pas çdo ndeshjeje, tifozët japonezë organizoheshin për të pastruar mbeturinat në shkallët e stadiumit ku qëndronin të ulur, ndërsa të njëjtën gjë e bënin edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes.
Fotot nga dhomat e zhveshjes të Japonisë, pas ndeshjes së djeshme ndaj Belgjikës po bëjnë xhiron e botës, teksa përtej dëshpërimit të eliminimit, futbollistët nuk ikën kurrsesi pa pastruar ambientin ku kishin qëndruar.





