10 dhjetor 2014 –  I goditur nga rrufeja në fushë, gjatë një ndeshjeje futbolli. Ngjarja e pabesueshme ndodhi në Peru, ku një lojtar i Sport Aguila, Joao Contreras e zuri rrufeja në fillimin e pjesës së dytë të gjysmëfinales së Kupës së Perusë, kundër skuadrës Fuerzo Minera. Videoja e shkarkimit të jashtëzakonshëm elektrik është me të vërtetë rrënqethëse. Futbollisti bie në tokë pa ndjenja dhe menjëherë të gjithë patën frikë për më të keqen, madje lajmet e para dhe vetë klubi folën për vdekjen e 21-vjeçarit.

Për fat të mirë gjithcka u përgënjeshtrua më pas nga spitali i Huancayos, ku ishte shtruar Contreras. Pas disa orëve ankthi gjendja e tij u gjykua e rëndë por e qëndrueshme. Doktorët menjëherë deklaruan se fakti që futbollisti shpëtoi gjallë ishte një mrekulli. Si pasojë e impaktit të shkarkimit të rrufesë, u dëmtua lehtë edhe një nga arbitrat anësorë. Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 1-1.