Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave, Valdrin Pjetrin, kanë përuruar ambientet e reja të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Librazhd.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh se qeveria dhe Kryeministri Rama kanë shpallur si prioritare transformimin e shërbimeve publike, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
Sipas Ballës, ky investim është një premtim i mbajtur, pasi tashmë qytetarët e Librazhdit do të mund të marrin një shërbim më të mirë në kohë dhe cilësi.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Valdrin Pjetri ndau me banorët lajmin e mirë se brenda datës 15 shkurt përfundon procesi i regjistrimit për çdo leje legalizimi në Bashkinë Librazhd.
“Më në fund qytetarët, të cilët kanë vite që presin për të marrë dokumentin e pronësisë për lejen e legalizimit, me datë 15 shkurt do të regjistrohet leja e fundit e legalizimit në Bashkinë Librazhd.
Ky është një lajm i mirë që unë dua ta ndaj sot me ju”, u shpreh Pjetri.





