“Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit, që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbehtë, por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat…”
Me këtë citim nga shkrimtari Sami Frashëri hapet libri i historikut të një prej shkollave 9-vjeçare më të njohura të qytetit, “Marie Kaçulini”, i përuruar një ditë më parë.
Në faqet e këtij libri, të realizuar nga 3 mësuese të shkollës Majlinda Qosja, Maltilda Bardhi dhe Irena Serbo në bashkëpunim me drejtoreshën Etleva Çelmeta, gjejnë vend ngjarjet, arritjet dhe personazhet më të spikatur (mësues dhe nxënës) në harkun kohor 2005-2023 të historikut të kësaj shkolle.
Drejtoresha Çelmeta rrëfen për “DurrësLajm” se tradita e bukur e krijuar nga ish-drejtori Ylli Qesja, i cili realizoi vite më parë historikun e kësaj shkolle u konkretizua tani me librin e ri.
E hapur në vitin 1960, shkolla mbante emrin “Nako Spiro” dhe në të mësonin 870 nxënës.
Me ardhjen e demokracisë, shkollës iu ndryshua emri në “Marie Kaçulini” dhe aktualisht numëron rreth 950 nxënës dhe 49 mësues.
Mes nxënësve më të njohur që kanë mësuar në bankat e kësaj shkolle janë aktori i mirënjohur Mirush Kabashi dhe ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani.





