Filiali i ri i biznesit fason “Ambra sh.p.k.” është tashmë realitet. Ambientet e reja të kompanisë u përuruan gjatë një ceremonie ku mori pjesë kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe administratori i deleguar i grupit “Florence”, Attila Kiss.

“Ambra sh.p.k.” me administrator Julian Bërxullin është bërë pjesë e grupit më të madh industrial në shërbim të shtëpive luksoze të modës në Itali dhe Francë duke realizuar kështu një tjetër arritje mjaft të rëndësishme për biznesin fason në qytetin e Durrësit.

Punimet mjaft cilësore që realizohen nga 530 punonjësit e kësaj kompanie janë tashmë një realitet i njohur për firmat ndërkombëtare të modës.

“Vitet e fundit. kompania juaj, siç e pohojnë të gjithë, është rritur gradualisht. Çdo vit ka pasur arritur, çdo vit ka bërë më mirë. Cilësia e produkteve që po realizoni është realisht për t’u përgëzuar, prandaj ju duhet të jeni krenarë.”,- tha Attila Kiss.

Gjatë ceremonisë u shfaq dhe një dokumentar i shkurtër i historikut të kompanisë “Ambra sh.p.k.”, që fillesat e saj në biznes i ka në vitin e largët 1995.

“Video flet për një histori të tërë, që nga krijimi i “Ambrës” në vitin 1995, vazhdimësia, të gjitha sikletet, vuajtjet dhe peripecitë, që ka kaluar kompania në të gjithë këto vite dhe sesi i ka mbijetuar të gjitha fazave negative dhe në fund fare e kemi mbyllur me ciklin sesi ka arritur “Ambra” të jetë kjo që është sot”,- tha administratori Berxulli.

Për kryebashkiaken Emiriana Sako, hapja e këtij filiali të ri të “Ambra sh.p.k.” është një ogur i mirë për zhvillimin e biznesit fason në Durrës, por njëkohësisht përkthehet në më shumë vende pune dhe më shumë zhvillim ekonomik për qytetin.

Ndërsa vizitoi ambientet e reja të fabrikës moderne, kryebashkiakja Sako theksoi se pushteti vendor po punon me programe konkrete për të lehtësuar biznesin.

M.B.