Është përuruar Qendra e Telemjekësisë në Spitalin Rajonal të Durrësit, pjesë kjo e rrjetit të telemedicinës në spitalet e Shqipërisë. Projekti i koordinuar nga USAID dhe Ministria e Shëndetësisë realizon lidhjen e spitaleve në një rrjet virtual për të mundësuar diagnostikimin më të saktë e të shpejtë të të sëmurëve si dhe trajnimin dhe edukimin mjekësor në distancë. Inagurimi është bërë nga Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo, i cili deklaroi se Spitali i Durrësit futet në rrjetin shqiptar të telemjekësisë të rrjetit të shëndetit elektronik.
Ky projekt, i cili pritet të shtrihet dhe në katër spitale të tjera të vendit lejon që një mjek në një vend të caktuar të diagnostikojë një pacient në një qytet tjetër, apo në një shtet tjetër. “Gjatë kohëve të fundit ekipe mjekësh të huaj kanë kryer operacione të rrezikshme, kryesisht tek fëmijët dhe ata janë vizituar nga mjekë jashtë vendit nëpërmjet telemedicinës”,- tha ministri i cili nënvizoi se ky projekt i paraprin atyre që pritet të zbatohen në vitin 2013 dhe që do ta kthejnë spitalin e Durrësit në Qendër Universitare dhe qendrën e dytë të traumës në vend, pas spitalit ushtarak.
Gjithashtu ministri vlerësoi me çertifikata mirënjohjeje mjekët më të mirë të spitalit rajonal për punën dhe kontributin e dhënë ndër vite në përmirësimin e shërbimit të sistemit shëndetësor. Çertifikata mirënjohjeje u janë dhënë disa prej mjekëve kirurgë të njohur si profesor Besim Elezit, Shaban Dedej, Thanas Gucaj, Taulant Baku etj.





