Është përuruar rikonstruksioni i qendrës shëndetësore në Xhafzotaj, e cila është transformuar dhe tërësisht me kushte moderne për t'iu shërbyer rreth 5 mijë banorë të kësaj zone.
Ky rikonstruksion total u mundësua nga bashkëpunimi me rajonin Trentino Alto Adige, shoqatën “Agimi Bolzano Onlus” dhe kompaninë private Dule sh.p.k.
E pranishme në këtë përurim, në fjalën e saj kryebashkiakja Valbona Sako ka falenderuar subjektet private për mbështetjen në transformimin e qendrës dhe deklaroi se modele të tilla bashkëpunimi janë të suksesshme sepse janë në dobi të banorëve.
"Të gjithë bashkë duhet të angazhohemi dhe të punojmë për qytetin e Durrësit duke patur si prioritet qytetarët"-deklaroi ajo.
Sako ka falenderuar stafin mjekësor të qendrës që punojnë me përkushtim e profesionalizëm, të cilët tashmë do të kenë ambiente dhe pajisje cilësore për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Pas përurimit kryetarja e Bashkisë së Durrësit dhe të pranishmit në ceremoni kanë inspektuar ambientet e qendrës shëndetësore duke u njohur nga afër me kushtet moderne të cilat garantojnë shërbim me standarte mjaft të mira pranë vendbanimit të tyre për të gjithë banorët e zonës.





