TIRANË – Qendra e të dhënave qeveritare që do të inaugurohet sot nga Kryeministri Sali Berisha, është një investim prej rreth tre milion dollarë i qeverisë shqiptare në kuadër të projektit “Shqipëria Dixhitale”. 

Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike, do të shërbejë si pika kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucioneve të administratës publike, ku do të instalohen pajisjet dhe sistemet më të avancuara të shërbimeve elektronike qeveritare për bizneset dhe qytetarët. 

Qendra e të dhënave qeveritare ka një sipërfaqe prej 672 m², dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike. 

Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë Kryeministrinë, Ministritë dhe institucionet e tyre të linjës. 

Për monitorimin e këtyre shërbimeve dhe të rrjetit qeveritar janë ngritur 9 sisteme për të menaxhuar dhe monitoruar në kohë reale të gjithë problematikën e kësaj infrastrukture teknologjike dhe moderne. 

Të gjitha shërbimet elektronike, ofrohen nga Qendra e të dhënave qeveritare nëpërmjet rrjetit qeveritar prej 150 Kilometër fibër optike të shtruar në qytetin e Tiranës. 

Ky është një ambient, i cili me anë të një infrastrukture të plotë dhe logjistike do të “mikpriste” të gjitha sistemet qeveritare duke i ofruar garantimin e shërbimit 24 orë në ditë, 7 ditë të javës. Qendrën e të dhënave qeveritare është një investim i qeverisë shqiptare prej rreth 3 Milion USD.