10 mars 2015 – Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në inaugurimin e zyrës së rë të ISSH-së, u shpreh se transformimi i zyrave të pensioneve ishte i domosdoshëm.

“Pensionistët meritojnë të begenisen në mënyrë të edukuar, qytetare, në mënyrë që sidoqoftë dhe sado qofshin problemet e jetës së tyre të përditshme në kontaktin me shtetin, të ndihen të respektuar për atë që kanë bërë në vite për këtë vend. Ky është vetëm hapi i parë, në këtë mjedis shërbehen rreth 100 mijë pensionistë gjatë vitit, por do të sjellë hapa të tjerë në mënyrë që zyrat e pensionit të mos jenë strofulla të errëta pisllëku, por mjedise të pastra ku reflektohet mirësi, edukatë dhe ku reflektohet vetëdije për shërbimin publik. Nga ana tjetër nuk mund të rri pa e thënë që kur hyra dhe pashë këto vajzat e mrekullueshme që na rrethojnë, nuk m’u duk dhe aq e errët perspektiva për të dalë në pension, se është vërtet kënaqësi të marrësh pensionin dhe të ndeshësh këto fytyra të pastra të bukura dhe të buzëqeshura.

Është rasti për të ripërsëritur se reforma e pensioneve është një nga gjërat më të rëndësishme, në transformimin e Shqipërisë në një shtet ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe shpërblehet sipas kontributit. Duke hequr tavanin e pensioneve maksimale, ne çelëm një horizont të ri mundësish për njerëzit që punojnë duke i dhënë një perspektivë të re, e cila sot është e mundur sepse nuk ka më tavan. Gjithkush vendos për pensionin që dëshiron të ketë dhe përcakton me kontributet e tij nivelin e pensionit që merr. Sot, të gjitha llogaritë na bëjnë krenar që një reformë të vonuar 20 vjet e realizuam dhe të gjithë përfitojnë një pension më të lartë falë kësaj reforme”, deklaroi kryeministri Rama. 

Ndër të tjera, shefi i qeverisë mori konkretisht shembullin e një mësuesi me 35 vite sigurime duke bërë diferencën me 51 mijë lekë më shumë në pensionin e llogaritur sipas formulës së re.

“Mësuesi i shkollës së mesme me 35 vite sigurime me skemën e vjetër deri në dhjetorin e vitit të shkuar, do të merrte 245 mijë lekë. Pensioni me reformën është 297 mijë lekë, prek 300 mijë lekëshin me një rritje 51 mijë lekë më shumë. Ne kemi rivlerësuar me rritje të ndjeshme progresive kontributet e mësuesve në 35 vite dhe ato 35 vite pune të siguruara muaj pas muaji nga rroga sot kthehen në një shpërblim tërësisht të befasishëm për këtë kategori, që do të thotë se për mësuesit është rritja më e madhe e pensioneve në 20 vite. Formula e re e pensioneve na çon në kushtet e një Shqipërie shumë më të drejtë, më solidare dhe më të vetëdijshme se shoqëria u detyrohet më shumë respekt dhe vlerësim financiar”, u shpreh Rama. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/