Ish – lideri, njëherësh themeluesi i partisë së ekstremit Lega Nord në Itali, Umberto Bossi, u dënua me 2 vjet e tre muaj burg. Ai akuzohet për shpërdorim të fondeve të partisë për qëllime personale.
Gjykata e Milanos dha 1 vit e gjysmë heqje lirie gjithashtu për djalin e tij, Renzo Bossin, si edhe 2 vite e 6 muaj për ish-financierin e partisë për të njejtën akuzë.
Sipas hetuesve, ish-kreu i Lega-s ka përvetësuar mbi 208 mijë euro nga viti 2009 në vitin 2011. Në të njejtën periudhë, djali i tij Renzo ka përvetësuar më shumë se 145 mijë euro.
Sipas mediave italiane, gjysma e kësaj shume shkuan për diplomimin e tij në një Universitet privat në Shqipëri. Ndërsa pjesa tjetër për blerjen e një automjeti luksoz dhe për të paguar disa gjoba.
I menjëhershëm ishte reagimi i kreut aktual të Lega Nord, Matteo Salvinit, i cili u shpreh u keqardhur për dënimin e Bossit. Nga ana tjetër Salvini tha se paraardhësi i tij përfaqëson politikën e vjetër.
76-vjeç, Umberto Bossi është një nga politikanët italianë më të debatuar. Ai njihet për kauzën e tij për autonominë e veriut të Italisë nga jugu i vendit dhe për sulmet ndaj emigrantëve.