VLORË, 31 maj 2013 – Sekuestrohen 105 mijë metër katrorë tokë me vlerë 3 milionë euro, ndërsa një person përfundon në pranga e një tjetër shpallet në kërkim. 

Ngjarja është shënuar në Vlorë, ku policia ka zbardhur një skemë të falsifikimit të dokumentave dhe pastrimit të parave, duke arrestuar 63-vjeçaren, Xhulieta Anastasiadhi, e duke shpallur ne kërkim bashkëpunëtorin e saj, Mihail Rrapaj 56 vjeç. 

Sipas bluve të Vlorës, dy personat e sipërpërmendur kane falsifikuar dokumentat e AKKP-së dhe të firmave të personave të ndryshëm, duke përfituar një sipërfaqe prej 105 mijë metër katrorë tokë në Vlorë, konkretisht 14 mijë m2 Komunën Qendër dhe 88 mijë m2 në fshatin Bunavi dhe 3 mijë m3 në qytetin e Vlorës. 

Mësohet se pas kësaj, toka i është shitur personave të ndryshëm, disa herë kundrejt shumave të konsiderueshme.

Policia bën të ditur se vlera e këtyre trojeve në total në treg kap shifrën e mbi 3 milion eurove. 

Pasi e përfituan tokën personat e kanë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit dhe e shitën disa herë në persona të dytë dhe të tretë.