Në ditën ndërkombëtare të OKB-së, ministrja e punëve të jashtme Olta Xhaçka përmes një mesazhi në Facebook, tregoi mbi punën e saj në botë dhe vendin e Shqipërisë në këtë organizatë.
Ajo u shpreh se Shqipëria sot është krenare për rolin e saj në OKB.
“Kjo është një ditë vërtet e rëndësishme për çdo qytetar të çdo vendi të globit. Dhe unë dua t’i uroj shumë suksese jo vetëm Organizatës së Kombeve të Bashkuara që sot feston këtë përvjetor, por edhe çdo burri, çdo gruaje e çdo fëmije kudo në botë sepse e vërteta është që kjo organizatë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e botës ku ne jetojmë sot.
Shqipëria është një vend që beson tek roli i jashtëzakonshëm i OKB dhe që është e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat. E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat e agjendat e OKB, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse.
Ne jemi krenarë, që sot, vendi ynë mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit. Dhe jemi krenarë, që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen e sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ai ka njohur që prej krijimit të OKB si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni e për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë. Por edhe pse, ne besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB ka në garantimin e paqes, sigurisë e stabilitetit.
Prandaj, ky përvjetor këtë vit merr një rëndësi akoma më të madhe. Sepse sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund të sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë“, u shpreh Xhaçka.