10 studentë të fushave të ndryshme janë përzgjedhur për t’u bërë kontrollorë të trafikut ajror nga afro 300 të rinj që aplikuan. Testimi u zhvillua në disa faza dhe zgjati afro 3 muaj, ashtu siç parashikon FEAST, ndërsa i gjithë procesi u bë nën monitorimin e EUROCONTROL.
10 studentët e përzgjedhur tashmë do të nisin akademinë “Entry Point North”, në Madrid për t’u diplomuar si kontrollorë të trafikut ajror. Përpara nisjes së tyre për në Madrid studentët janë pritur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila zhvilloi me ta një bashkëbisedim të hapur.
Ministrja e vlerësoi procesin e përzgjedhjes së tyre si më transparentin i cili është aplikuar për herë të parë në Shqipëri nga ALBCONTROL.
“Ju jeni përzgjedhur përmes një procesi transparent që është aplikuar për herë të parë nga Agjencia ALBCONTROL, menaxhuesja e trafikut ajror kombëtar, një proces që ka zgjatur nga 5 nëntori deri në fund të janarit, me disa faza, ashtu siç e parashikon FEAST, që është edhe testi që ju keni kaluar, dhe ajo çfarë ne kemi aplikuar në rastin tuaj ka qenë një supervizim i plotë nga EUROCONTROL”, tha Balluku.
Ministrja theksoi se tashmë Aviacioni Civil në Shqipëri po rritet me ritme dinamike, duke përfshirë brenda tij të rinj dhe të reja të cilët janë përzgjedhur dhe trajnuar cilësisht, për të krijuar një armatë specialistësh në të gjitha fushat e aviacionit.
“Aviacioni po rritet me ritme dinamike çdo ditë duke përfshirë brenda tij edhe të rinj dhe të reja të cilët janë përzgjedhur cilësisht, do trajnohen cilësisht për të krijuar një armatë të tërë, që ne sot e vuajmë dhe nuk e kemi, specialistësh në të gjitha fushat e aviacionit”, u shpreh Balluku.





