Një spektakël i veçantë bukurie vjen për herë të parë në Durrës, dedikuar vogëlushëve.
Pasditen e së premtes u përzgjodhën 30 konkurentët e vegjël, që do të marrin pjesë në finalen e eventit “Miss dhe Mister kids model of Dyrrah”.
Emocionet ishin të forta mes më të vegjëlve, që parakalonin para dhjetëra prindërve por edhe organizatorëve që do të përzgjidhnin më të mirët.
Një nga anëtarët e stafit organizator, Xhoni Mërkuri, na rrëfen më shumë për edicionin e parë të spektaklit të bukurisë të fëmijëve të ciklit fillor të shkollave të Durrësit.
“Ky projekt ka për qëllim për të shfaqur vlerat e trashëgimisë kulturore, që fëmijët duhet t’i trashëgojnë brez pas brezi. Emri Dyrrah është vënë që fëmijët të kenë informacione për qytetin tonë të vjetër dhe emrin e bukur të tij”,- thotë ai për “DurrësLajm”.
Megjithëse ishin nën ethet e konkurimit, shumë nga vogëlushët pjesëmarrës na folën për emocionet që po provonin.
Ndërkohë të tjerë, e kishin të qartë qëllimin pse ishin përfshirë në këtë event bukurie, besojnë se do të rrëmbejnë kurorën e bukurisë.
Finalja e madhe e spektaklit të bukurisë “Miss dhe Mister kids model of Dyrrah” do të mbahet në teatrin “Aleksandër Moisiu”, më 17 mars.
M.B.