Pesë familje në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se fëmijët e tyre humbën jetën duke u përpjekur të realizonin të ashtuquajturën “blackout challenge”, një sfidë tejet e rrezikshme që qarkullon prej dekadash dhe është ndaluar nga platformat kryesore të rrjeteve sociale, përfshirë TikTok-un.
Prindërit i janë drejtuar drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur padi kundër platformës, me synimin për të zbardhur se çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit të jetës së fëmijëve të tyre dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Sipas Sky News, çështja lidhet me pesë të mitur, të moshës 12 deri në 14 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në incidente të ndara, brenda një periudhe disa mujore. Familjet besojnë se fëmijët e tyre tentuan të imitonin këtë “sfidë”, e cila bazohet në ndërprerjen e përkohshme të frymëmarrjes, me rrezik serioz për dëmtime të rënda në tru ose vdekje.
13-vjeçarja Maya, vajza e Liam Walsh, u gjet pa ndjenja tre vjet më parë. Disa muaj më herët, më 9 dhjetor 2021, kishte humbur jetën 12-vjeçari Noah Gordon, i cili u gjet nga vëllai i tij në dhomën e gjumit. Pavarësisht përpjekjeve nga nëna e tij, Louise Gordon, dhe motra, fëmija nuk arriti të mbijetojë.
Nëna e Noah tregoi se, duke kontrolluar telefonin e tij, kërkonte mesazhe nga shkolla ose shenja bullizmi, pa menduar fillimisht të shqyrtonte përmbajtjen që ai kishte parë në rrjetet sociale.
Më pas u regjistruan edhe tre raste të tjera të ngjashme. 14-vjeçari Jules u gjet pa ndjenja nga nëna e tij, Ellen Roome, rreth një orë pasi kishte përcjellë shokët e tij që u larguan nga shtëpia duke qeshur. 12-vjeçari Archie kishte planifikuar të shkonte në kinema me nënën e tij, Holly Dance, por në vend të kësaj ajo telefonoi numrin e emergjencës 999 në një thirrje që zgjati katër minuta e 23 sekonda. Archie qëndroi për katër muaj në mbështetje mekanike të jetës, përpara se të ndërronte jetë.
Fëmija i pestë, 13-vjeçari Isaac, u gjet pa ndjenja nga nëna e tij, Lisa Kenevan, e cila u përpoq gjithashtu ta rikthente. Kur policia sekuestroi pajisjet e tij elektronike, u gjetën video që dyshohet se ishin regjistruar përmes TikTok-ut, por jo të publikuara, ku Isaac shfaqej duke treguar qafën dhe duke qeshur.
Prindërit besojnë se fëmijët e tyre ranë në kontakt me “blackout challenge” përmes TikTok-ut, edhe pse pranojnë se nuk kanë prova të drejtpërdrejta. Nga ana e saj, kompania ka deklaruar se të dhënat mbi përmbajtjen e ndjekur nga fëmijët mund të jenë fshirë në përputhje me rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale.
TikTok ka deklaruar vazhdimisht se kjo sfidë nuk ka qenë kurrë trend në platformën e tij dhe se është ndaluar që nga viti 2020. Gjithashtu, kompania thekson se heq 99% të përmbajtjes që shkel rregullat e saj para se ajo të raportohet.
Seanca e parë gjyqësore është planifikuar për të premten. TikTok pritet të kërkojë rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo është depozituar në juridiksion të gabuar, pasi incidentet kanë ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar.
Familjet shprehen se përpjekja për të zbuluar të vërtetën ka “ngrirë” procesin e tyre të zisë. Sipas tyre, pasiguria rreth rrethanave të vdekjes së fëmijëve e bën të pamundur qetësimin emocional dhe pranimin e humbjes.
Në një deklaratë për Sky News, TikTok shprehu ngushëllimet për familjet, duke ritheksuar se ndalon rreptësisht çdo përmbajtje që promovon ose inkurajon sjellje të rrezikshme dhe se disponon sisteme zbulimi dhe ekipe të posaçme për heqjen e menjëhershme të saj.





