Një ditë tipike pune është mjaft e gjatë dhe teknologjia e bën atë edhe më të gjatë. Kur ju më së fundi arrini në shtëpi pas një dite të tërë në zyrë, telefoni juaj bie sërish dhe në adresën tuaj vijnë e-mail-e nga njerëz të cilët presin përgjigje të menjëhershme.

Ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve thonë se shkëputen sapo mbërrijnë në shtëpi, një studim i kohëve të fundit tregon të kundërtën. Një studim i kryer nga “American Psychological Association” gjeti se më shumë se 50 për qind prej nesh e kontrollojnë e-mail-in para se të shkojnë në punë dhe pasi largohen prej saj, gjatë fundjavës, madje edhe kur janë të sëmurë. Më keq akoma, 44 për qind prej nesh e kontrollojnë e-mail-in edhe kur janë me pushime.

Një studim i Illinois University verën e kaluar, arriti në përfundimin se pritshmëria që kanë njerëzit për t’iu përgjigjur e-mail-eve pas orarit të punës prodhon një stres të vazhdueshëm, të cilët kërkuesit e quajtën telepressure. Nën këtë presion, ju nuk do të jeni në gjendje të çlodheni kurrë dhe të largoheni ndonjëherë nga puna. Ky stres i vazhdueshëm ndikon në shëndetin tuaj. Përveç rrezikut të sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe obezitetit, stresi ndikon në performancën tuaj.

Është e nevojshme që ne të vendosim kufij mes jetës personale dhe profesionale, ndryshe puna, shëndeti dhe jeta personale do të vuajnë prej kësaj.
Përgjigjja e e-mail-eve pasi keni mbyllur punën nuk është i vetmi kufi që ju duhet të vini. Ju duhet të bëni dallimin midis asaj që i përket punëmarrësit tuaj dhe asaj që ju përket ju dhe vetëm ju. ‘Elementet’ e mëposhtme ju përkasin vetëm ju.

Nëse ju nuk vendosni kufij mbi ta dhe nuk mësoni t’i thoni jo shefit tuaj, ju po i vini shkelmin diçkaje që ka një vlerë të paçmuar.

1.Shëndeti

Është e vështirë të vendosësh kufij rreth shëndetit tuaj në punë pasi rënia është graduale. Mos e lejoni veten që të akumuloni stres, të humbni gjumin, të rrini gjithë ditën para kompjuterit pa bërë disa pushime të vogla… si pa e kuptuar ju keni filluar të ndieni dhembje në shpinën tuaj. Mësoni se çfarë duhet të bëni në mënyrë që të jeni gjithnjë të shëndetshëm (bëni disa hapa gjatë pushimit tuaj, mos punoni në fundjavë, merrni pushime siç e keni planifikuar) bëni një plan dhe realizojeni atë. Nëse nuk e bëni këtë, ju po lejoni punën tuaj t’i kalojë caqet.

2.Familja

Është e lehtë t’i bëni njerëzit e dashur të vuajnë për shkak të punës. Shumë prej nesh e bëjnë këtë gjë pasi e shohin punën si një mënyrë për të mbajtur familjen. Ne mendojmë për shembull se “duhet të bëjmë më shumë para në mënyrë që t’u paguajmë shkollën e fëmijëve”. Edhe pse këto mendime kanë një qëllim të mirë në vetvete, mund ta ngarkojnë familjen tuaj me një borxh të madh – mungesa e kohës cilësore me ju. Kur ju të jeni në çastet e fundit të jetës, ju nuk do të kujtoni se sa shumë para fituat për t’iu siguruar të ardhmen fëmijëve tuaj. Ju do të kujtoni vetëm kohën që kaluat me ta.

3.Identiteti

Ndërkohë që puna është një pjesë e rëndësishme e identitetit tuaj, është e rrezikshme që ta lejoni punën të bëhet gjithë identiteti juaj. Të kesh një identitet jashtë pune është më shumë sesa të kalosh disa momente të bukura. Kjo gjë redukton stresin dhe ju rrit si individ.

4.Kontaktet

Ndërkohë që ju i detyroheni punëmarrësit tuaj përpjekjet tuaja, ju sigurisht që nuk i detyroheni atij kontaktet që keni krijuar gjatë karrierës suaj. Kontaktet tuaja janë produkt i përpjekjeve dhe punës suaj dhe ndërkohë që ju mund t’i ndani ata me kompaninë tuaj, ata ju përkasin ju.

5.Integriteti

Sakrifikimi i integritetit tuaj shkakton stres. Sapo të kuptoni se veprimet dhe ajo çka besoni nuk janë më në të njëjtën linjë, është koha t’ia bëni të qartë këtë gjë punëmarrësit tuaj që ju nuk do t’i bëni gjërat sipas mënyrës së tij. E nëse ky është një problem për drejtuesin tuaj, ka ardhur koha të jepni dorëheqjen.

Suksesi dhe përmbushja e detyrave varen nga aftësia juaj për të vendosur kufij. Nëse e bëni këtë gjë, çdo gjë shkon në vendin e saj.

Burimi: LinkedIn, marrë nga “Monitor”