Vetëm 5 muaj pas sulmit që për pak i kushtoi jetën, duke e zhytur në gjendje kome e duke e lënë në gjendje të rëndë shëndetësore për javë të tëra, kryeministri sllovak Robert Fico marrë një zarf që kishte një plumb brenda.

“Mund të konfirmojnë se zarfi përmbante një plumb; ai është  dërguar në adresën e kryeministrit të Sllovakisë”, thuhet në një deklaratë të zyrës së tij. Zarfi është analizuar nga stafi i specializuar për mbrojtjen e zyrtarëve publikë dhe misioneve diplomatike.

Ky kërcënim i drejtuar shefit të ekzekutivit sllovak vjen në një kohë kur Europa ende nuk e ka shkundur tronditjen që shkaktoi në kontinentin e vjetër tentativa për vrasjen e kryeministrit, e cila ekspozoi nga ana tjetër edhe një polarizim tejet të thellë të shoqërisë së këtij vendi.

Personi që qëlloi Fico-n, 71-vjeçari Juraj Cintula, ishte shprehur se nuk ishte dakord me politikat e qeverisë aktuale. Ai është aktualisht në paraburgim, i përballur me akuza  për terrorizëm dhe rrezikun e një dënimi që mund të shkojë 25 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Fico iu nënshtrua disa operacioneve pasi mori plagë që i rrezikuan seriozisht jetën. Politikani veteran në Sllovaki u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet e fundit.

Nga Riga në Bratislavë, vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, dikur brenda sferës së ndikimit të Moskës, përballen me trysni në rritje që po i tensionon shoqëritë e tyre. Kjo trysni po ngre shqetësime për të ardhmen e demokracisë në rajon.