Nga Armand Shkullaku
Eshtë hera e parë në këto 5 vite që levat mediatike dhe veglat propagandistike të Edi Ramës, kanë heshtur me bisht ndër shalë përballë protestës së mijëra studentëve, që tashmë e kanë shpalosur në rrugë të vërtetën therrëse të një vendi në mjerim, që ato me aq zell janë munduar ta fshehin nën dritat e rreme të Rilindjes, batutave bajate të kryeministrit apo kasetave të montuara
të lalës.
Sot, të gjithë kurrizshtrembëruarit nga përulja e shërbimit, kanë heshtur.
I gjithë vetmohimi disa vjeçar për të mbuluar skandalet korruptive, vjedhjet spektakolare, kanabizimin e vendit, lidhjet me krimin e organizuar, me ngjyrat e spoteve 3D dhe akuzat ndaj opozitës, është tretur brenda harkut kohor të disa orëve. Studentët në rrugë janë sot Shqipëria e vërtetë.
Pati tentativa në ditën e parë për ta skualifikuar edhe këtë protestë si të mëparshmet. Diversionet tipike se aty përsëri ishte opozita dhe jo studentët; përçarja emblematike e llojit ngelës dhe ekselentë, shpellarë dhe qytetarë; pastaj zbythja tinzare dhe maska e tolerantit që zëvendëson në sekondë, sipas nevojës, atë të arrogantit; të gjitha këto taktika meskine dështuan përballë lumit të
protestës. Sepse ajo është reale, e vërtetë, e natyrshme, shprehje e një revolte që ka mbërritur kulmin dhe, si e tillë, e bën zero edhe propagandën më të sofistikuar.
Prandaj edhe ata që janë të gatshëm t’i gjenden shefit të madh sa herë është në hall, sot kanë heshtur. Veshët dhe sytë e shqiptarëve kanë shpëtuar nga neveria e stilit erionveli që shumëfishohet nga përfituesit e pushtetit. Protesta e studentëve jo vetëm i ka çarmatosur nga demagogjia dhe mashtrimi i shpifur,
por edhe i ka trembur.
I ka trembur sepse i ka goditur pikërisht në momentin kur besonin plot arrogancë dhe vetësiguri se mund të bënin çfarë të donin dhe nuk i jepnin askujt llogari. Se mund të merrnin vendime për 3 milionë njerëz, pa e përfillur aspak mendimin e tyre. Se mund t’i bënin paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla, nëpër shatërvanë, veliera, gurë e shkurre thjesht me argumentin se kështu na duket ne më bukur. Se mund të shembnin stadiume, teatër, trashëgimi qindra vjeçare, shtëpi fukarenjsh, për të ngritur kulla sepse kryeministri kishte marrë votat e shqiptarëve dhe mund të bënte çfarë të donte. Madje edhe t’i ngrinte ata që e kishin votuar e me detyrim t’i çonte të bënin analizat sepse kishte menduar se disa dhjetra milion euro i rrinin mirë një mikes së tij biznesmene.
Kryeministri dhe organizata e Rilindjes, ndjenin se kishin fituar fuqinë që të drejtën e popullit për të qenë i përfaqësuar në një sistem demokratik liberal, t’ia delegonin banditëve, trafikantëve, vrasësve e përdhunuesve që i ulën në Kuvend. Këtë të drejtë ua falën edhe injorantëve, gdhëve e dallkaukëve që sot drejtojnë qytetet kryesore të Shqipërisë. Këta të organizatës vendosën edhe
për taksat, tarifat, gjobat, çmimet e energjisë, të ilaçeve, karburantit, rrugëve, spitaleve, shkollave, pa pyetur kurrë grupet e interesit, sindikatat apo përfaqësuesit e shtresave të popullsisë. Duke e deformuar kështu demokracinë nga vendimmarrja përfaqësuese tek vendimmarrja vertikale, pa asnjë lloj ndërmjetësimi.
Këto deformime u kamufluan për vite me radhë nën zhurmën e shfaqjeve populiste si ndarjet e tapive apo skeçet e bashkëqeverisjes. Në disa raste ato iu mveshën aleatit në qeverinë e mandatit të parë dhe në raste të tjera, kur tepsia u mbeti e gjitha në dorë, u kapërcyen duke u marrë me opozitën. “Shikoni kë keni përballë, doni prapë Berishën dhe Lulin, ata janë të paaftë, ata nuk
fitojnë dot”,përsërisnin solistët e Rilindjes dhe kori i laraskave mediatike që çukiste thërrimet nga orgjia e pushtetit.
Dhe, kur ndiheshin më të sigurtë se kurrë (me një opozitë të fjetur apo të kapur, me media të blera ose media kazan, me njerëz të frikësuar që donin vetëm të iknin, me protesta që shuheshin pa lindur mirë) në rrugë u dolën studentët.
Protesta e studentëve sigurisht nuk ka lidhje thjesht me tarifat e Linditës apo reformat e Edit. Ajo mbi të gjitha është një lëvizje në emër të atyre që sot nuk janë të përfaqësuar nga pushteti që kanë zgjedhur me votë. Të atyre që ndihen të margjinalizuar dhe pa asnjë vlerë edhe kur merren vendime që prekin direkt jetën e tyre. Të atyre që janë të tradhëtuar në besimin e tyre se një ditë
Shqipëria do të ndryshonte.
Kjo protestë është një detyrim i fëmijëve për t’u kthyer prindërve të tyre krenarinë e munguar dhe dinjitetin e lënduar. Dikur e pranuan nënshtrimin nga dhuna e diktaturës, tani po pranojnë përçmimin nga nevoja për të mbijetuar, kjo është drama e dy brezave që studentët sot mund ta thyejnë.
Ata i kanë parë familjet e tyre që nuk bëzajnë nga frika se humbin vendin e punës, që ulin kokën sa herë u ngrihen çmimet bashkë me taksat, që preferojnë t’u japin fëmijëve tesera partie për të blerë të ardhmen, që mezi mbyllin muajin dhe janë të detyruar të dëgjojnë 10 orë në ditë kryeministrin që flet për rritje ekonomike, që i kap ankthi kur kanë një sëmundje dhe duhet të durojnë edhe kasetat e lejfenit që tregon lumturinë e qytetarëve që u gëzohen dritave dhe
qofteve të krishtlindjeve.
Protesta e studentëve është për të gjitha këto.
Dhe edhe nëse nuk e kuptojnë, organizata dhe veglat e saj mediatike, e ndjejnë, se ajo që po ndodh këto ditë nuk është çështje pagese për provimet e mbartura, por çmimi që pushteti duhet të paguajë për mbrapshtinë me të cilën ka
drejtuar vendin.
Prandaj nuk flasin dot më, as me kaseta, as me biçikleta, as me pirueta e as me
video selfie. Prandaj ajo që ka nisur nuk ndalet dot as nga zemërgjerësia e Linditës dhe as nga dëshira e Edit për të qenë prapë student protestues. Sot ata janë lënë vetëm edhe nga ata që paguhen për t’u bërë shoqëri në ditë të këqija. Dhe është vetëm dita e tretë… /Lapsi.al