Mbrëmje perfekte për Interin ajo e së shtunës, i cili mposhti Udinezen dhe rimori vendin e parë në renditje, duke lënë sërish pas Juventusin në një distancë prej dy pikësh. Një tjetër parakalim i zikaltërve, i pesti i këtij sezoni (4 prej të cilave ndaj Juves dhe 1 ndaj Milanit). Të premten bardhezinjtë fituan me Napolin dhe i kapërcyen zikaltrit në renditje, me Interin që zbriti në fushë sërish, me presionin e vendit të parë të humbur. As këtë herë ama skuadra e Inzagit nuk zhgënjeu dhe plotësoi të gjitha pritshmëritë duke marrë fitoren që rivendosi distancën. Jo vetëm kaq, diferenca me Milanin dhe Napolin është rritur respektivisht në 9 dhe 14 pikë.

Megjithatë, shifrat, megjithëse elokuente, janë shumë pak për të përshkruar atë që është Interi në këtë moment. Interi është një nëndetëse, e aftë të udhëheqë ndeshjet si të dojë, di të shtypë, kur është koha për të fundosur kundërshtarin, di të menaxhojë, kur është rasti i vënies në gjumë të lojës, e gjitha kjo duke krijuar një sasi të panumërt mundësish shënimi (4-0 nuk ilustron siç duhet epërsinë ndaj friulianëve), duke rrezikuar pak ose aspak në prapavijë, aq sa ka mbërritur ndeshja e 10-të me portën e paprekur në 15 javë kampionat. Inzagi, me sa duket, është dirigjenti i orkestrës sepse ai nuk gabon më dhe lojtarët e tij e zbatojnë planin e lojës me përpikëri.

Është e vërtetë që ai ka një cilësi dhe sasi të jashtëzakonshme burimesh në dispozicion. Por, në çdo rast, duhet ditur si t’i menaxhosh. Interi i dha fund praktikës që në pjesën e parë, sepse nuk kishte kuptim të harxhonte energji, duke pasur përpara ndeshjen kundër Real Sociedadit, të cilën duhet ta fitojë për të zënë vendin e parë në grupin D të Ligës së Kampioneve. Më pas do të jetë ndeshja me Lacion të dielën në mbrëmje, ku sërish zikaltrit mund të zbresin ën fushë si vendi i dytë, duke qenë se Juventusi do të përballet me Xhenoan të premten. Interi ka treguar se nuk i trembet presionit dhe parakalimi i gjashtë do të ishte një tjetër demonstrim force.