Ende pa marrë zyrtarisht detyrën, Donald Trump po shokon. Me thirrjen e tij që vendet e NATO-s të shpenzojnë pesë për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto në sektorin e mbrojtjes në të ardhmen, ai ka shkaktuar reagime negative tek shumë parti në Gjermani.
Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut, Marcus Faber (FDP), e sheh kërkesën për një kontribut pesë për qind si shumë të lartë. Në një intervistë me rrjetin editorial të Gjermanisë (RND), ai tha, se “32 shtetet e NATO-s do të duhet të bien dakord për një minimum të ri të përbashkët përtej objektivit prej dy përqind”. Por ai pret një rritje me më shumë se tre përqind – dhe kjo duhet të vendoset me konsensus, theksoi Faber.
“Kjo është një çmenduri e plotë”
Kurse politikani për çështjet e jashtme të SPD-së, Ralf Stegner i hodhi poshtë qartë kërkesat e Trump. “Kjo është një çmenduri e plotë. Ne nuk kemi nevojë për më shumë armë në botë, ne kemi nevojë për më pak,” tha ai për portalin e lajmeve Politico.
Edhe eurodeputetja liberale gjermane, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP) e konsideron të tepruar kërkesën e Trump për një objektiv prej pesë për qind. “Ne nuk duhet të lejojmë çdo deklaratë të Trumpit të na nxjerrë nga binarët. Ne nuk jemi në një pazar këtu,” tha politikanja e FDP-së për rrjetin RND. Megjithatë, sipas eurodeputetes, me të drejtë SHBA-të presin që anëtarët e NATO-s të japin më shumë para për mbrojtjen e vendit të tyre – dhe të marrin përgjegjësinë për të mbrojtje të përbashkët të aleancës.
“Duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike e potencialin dhe madhësinë ekonomike të Gjermanisë, kjo është e drejtë, pasi ne jemi fshehur pas SHBA-ve për dekada me shpresën se mund të mbështetemi tek ata dhe se ata do të jenë përgjegjës për sigurinë tonë.
Politikanja e majtë gjermane dhe drejtuesja e Aleancës me emrin e saj, Sahra Wagenknecht (BSW), bëri thirrje për një ndryshim në politikën e jashtme në lidhje me SHBA. “Nuk është çudi që Trump tani po bën thirrje për pesë për qind shpenzime për mbrojtjen”, tha ajo gjithashtu për revistën “Politico”. Tani është koha për t’i dhënë fund “besnikërisë vasale ndaj SHBA”. Gjermania ka nevojë për “pavarësi në vend të nënshtrimit” dhe “një përmirësim të ndjeshëm në marrëdhënies franko-gjermane”.
Debati për mbrojtjen edhe në kuadër të fushatës zgjedhore
Debati për nivelin e duhur të buxhetit të mbrojtjes ka marrë hov, pavarësisht kërkesave të Trump. Ministri Federal i Ekonomisë dhe kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër për kancelar, Robert Habeck akuzoi kancelarin Olaf Scholz se kishte shkurtuar buxhetin e Bundeswehr-it gjatë kohës së koalicionit të madh, CDU dhe SPD, atëherë nën kancelaren Merkel.
“Fondi special me të cilin filluam të punojmë kundër problemeve të mëdha nuk do të jetë më i disponueshëm vitin e ardhshëm “Pra, duhet të bëjmë më shumë në vitet e ardhshme për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e këtij vendi”, tha Habeck për revistën Stern. Habeck tha, se do të financonte shpenzimet e planifikuara masive të mbrojtjes përmes miliardave të reja të kredive. Frena e borxhit “nuk duhet të vendosë se sa e sigurt është Gjermania”, vazhdoi Habeck.
Shpenzimet e mbrojtjes nga vendet e NATO-s ishin pikë qendrore e mosmarrëveshjeve që gjatë mandatit të parë të Trump. Në atë kohë, republikani kërcënoi se SHBA-të do të tërhiqej nga aleanca ushtarake nëse vendet partnere nuk përmbushin detyrimin e tyre për të investuar të paktën dy për qind të PBB-së në mbrojtje./ DW