Sëmundjet gjenetike janë të shumta, por 5 janë më të përhapurat në popullsinë shqiptare.

Shefi i qendrës së diagnostikës molekulare, Grigor Zoraqi, tregon për A2 se talasemia, shurdhësia, fibroza cistike, distrofia muskulare dhe sindroma down janë sëmundjet e lindura dhe më të shpeshta te shqiptarët.

E njohur ndryshe si anemia mesdhetare, talasemia është me e përhapur në zonat bregdetare, në Lushnje dhe në Fier, ku 1 në 5 banorë është mbartës i talasemisë.

“Lëvizja e popullatës ka bërë që edhe në Tiranë përqindja të jetë e lartë, edhe pse jo në atë nivel”, thotë Zoraqi.

Edhe pse në shumicën e rasteve shurdhësia i faturohet temperaturës së lartë te fëmija, 80% e tyre e kanë sëmundje të lindur. Madje në vendin tonë 10% e shqiptarëve janë mbartës të shurdhësisë. Shefi kërkimeve gjenetike propozon programe parandaluese përmes testeve te detyrueshme.

Kryesorja e mjekësisë sot është ajo parandaluese, në mënyrë që mos të lindin fëmijë me këto sëmundje. Në javën e 16-të të shtatzënisë merret lëngu amiotik dhe analizohet për pranin e këtyre sëmundjeve”, vijon Zoraqi.

Por dhe fibroza cistike, sëmundja që shkakton mosfunksionimin e organeve, distrofia muskulare që dëmton muskujt si dhe sëmundja kromozomike e sindromës down, janë të përhapura në popullsinë shqiptare.

Referuar studimeve të fundit, rreth 300 fëmijë lindin çdo vit me këto sëmundje gjenetike. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që analizat e ADN-së për sëmundjet me të shpeshta gjenetike t’i bëjë falas për nënat shtatzëna.