Pesë pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane humbën jetën si pasojë e rrëzimit të helikopterit me të cilin udhëtonin në Mesdheun Lindor njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Helikopteri pësoi një problem gjatë furnizimit me karburant si pjesë e një stërvitjeje rutinë. Presidenti amerikan Joe Biden shprehu ngushëllime për viktimat, duke thënë se anëtarët e shërbimit po vënë jetën e tyre në rrezik për vendin tonë çdo ditë.

“Ne lutemi për familjet e të gjithë luftëtarëve tanë të rënë sot dhe çdo ditë”, shtoi ai. SHBA-ja ka rritur operacionet e saj në Detin Mesdhe që nga shpërthimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Deklarata ushtarake nuk specifikoi vendin ne te cilin ndodhi ngjarja e rende. SHBA ka zhvendosur dy aeroplanmbajtëse, si dhe anije dhe avionë, në Mesdheun Lindor gjatë muajit të kaluar.

Dislokimi pasqyron shqetësimet amerikane se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet në pjesë të tjera të rajonit. Në veçanti, Shtetet e Bashkuara synojnë të parandalojnë lëvizjen Hezbollah të Libanit që t’i bashkohet konfliktit. Kjo lëvizje mbështetet nga Irani, i cili gjithashtu financon dhe armatos Hamasin.