Një komedian rus është dënuar me më shumë se pesë vjet burg nga një gjykatë në Moskë, pasi u shpall fajtor për nxitje të urrejtjes, lidhur me një shaka të bërë gjatë një performance komedie.
Komediani 29-vjeçar Artemy Ostanin mori dënimin të mërkurën, pasi gjykata e shpalli fajtor për përhapje të urrejtjes përmes fjalimeve publike. Rasti lidhet me një shfaqje komedie të vitit 2025, në të cilën Ostanin bëri shaka për një veteran lufte që kishte humbur këmbët në një shpërthim dhe ishte detyruar të lëvizte me skateboard, duke e quajtur atë “patinator pa këmbë”.
Pamjet e performancës u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të ashpra nga qarqe nacionaliste ruse, të cilat e akuzuan komedianin për mungesë respekti ndaj ushtarëve që luftojnë në Ukrainë.
Ostanin u arrestua në mars të vitit të kaluar, ndërsa po përpiqej të largohej drejt Bjellorusisë. Ai mohoi se shakaja e tij kishte lidhje me ushtarët rusë të përfshirë në luftën në Ukrainë. Përveç kësaj, ai u shpall fajtor edhe për ofendim të ndjenjave fetare, pas një shaka tjetër për Jezusin që shkaktoi zemërim te nacionalistët ortodoksë.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti, gjyqtarja Olesya Mendeleyeva deklaroi se dënimi përfundimtar për Ostanin është pesë vjet e nëntë muaj burgim në një koloni penale të regjimit të përgjithshëm.





