Vetëm pak orë përpara parakalimit në ceremoninë hapëse të Rio 2016, në përfaqësuesen shqiptare për Lojërat Olimpike shpërthejnë polemikat, akuzat dhe kërcënimet për bojkot të evenimentit.Protagonist është peshëngritësi Briken Calja, një prej dy sportistët tek të cilët Shqipëria shpreson se do të arrihen rezultate të larta. Nga Brazili i largët, 26-vjeçari publikoi një reagim në faqen e tij personale në “Facebook”, aty ku vazhdimisht ka postuar video të përgatitjeve dhe fotografi në Fshatin Olimpik.
Calja akuzoi presidentin e Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani se “mashtron publikisht përsa i takon bursës olimpike”, duke nënvijëzuar se “nuk ka marrë qoftë edhe 1 lek bursë nga KOKSH apo nga Ministria e Sportit”, por është kualifikuar dhe merr pjesë në Rio 2016 vetëm falë shpenzimeve të familjes dhe dashamirësve.
Në reagimin e tij, peshëngritësi kuqezi i kërkonte kreut të KOKSH, që të tërhiqte deklaratën e bërë, duke e kërcënuar se në rast të kundërt do ta denoncojë për “shpifje dhe abuzim me fondet e taksapaguesve”.Briken Calja nuk u ndal me kaq, por bëri të ditur se nëse deklaratat nuk tërhiqen, “nuk do t'i mbetet rrugë tjetër, përveçse të tërhiqet nga Lojërat Olimpike”.
Qëndrimin e tij të ashpër shtangisti e argumenton me faktin se askush nuk mund të marrë meritat e familjes dhe punës së tij, për të arritur deri në Olimpiadën e Rios. Një situatë kaotike në delegacionin kuqezi në Brazil, ku frika më e madhe tashmë është se situata e krijuar mund të ndikojë në mënyrë të drejtë për drejtë në rendimentin e sportistëve kryesorë të Shqipërisë.





