Briken Calja fitoi medalje bronzi në Europianin e Norvegjisë në peshëngritje duke ngritur 145 kg në shkëputje në peshën 69 kg, por nuk arriti të kualifikohej në dygarësh, pasi dështoi në stilin e shtytjes duke mos ngritur asnjë peshë. Peshëngritësi shqiptar në stilin e shkëputjes, Briken Calja u kuptua që do të kishte si rival rusin Petrov por dhe turkun Ismailov, që në Botërorin e fundit ishte renditur I 3-ti.

Calja kaloi me sukses provën e parë me 142 kilogram, por prova e dytë me 145 kilogram, që e lejoi të kalonte spanjollin Lopez Sanchez ishte ajo që e futi zyrtarisht në zonën e medaljeve. Rusi Petrov ngriti me sukses 147 dhe Calja provoi gjithashtu të njëjtën peshë, që nëse do ta kishte ngritur për shkak të peshës më të lehtë trupore do t’i jepte medaljen e argjendtë. Calja megjithatë dështoi në këtë provë, por gjithsesi fitoi medaljen e bronztë në shkëputje, ndërsa ari shkoi për turkun me origjinë nga Uzbekistani, Ismailov që e mbylli garimin me 155 kilogram.

Në stilin e shtytjes, Calja e nisi garimin me 177 kilogram por nuk arriti ta ngrejë dot peshën. Në provën e dytë Calja i shtoi dhe një kilogram peshës dhe pse për ta klasifikuar mes 3 të parëve në dygarësh do të mjaftonte të ruante peshën e njëjtë me provën e parë. Dhe në të dytën, Calja nuk arriti ta ngrejë peshën duke shfaqur madje dhe probleme në shpinë. Në provën e tretë dhe të fundit që do ta klasifikonte në dygarësh, Calja nuk arriti ta çojë dot peshën në gjoks duke humbur mundësinë e klasifikimit në dygarësh dhe në stilin e shtytjes. Gjithsesi Calja mundi të fitojë një medalje bronzi në shkëputje, që është e para për Shqipërinë në këtë Europian.

Ndërsa të mërkurën do të jetë radha e Erkand Qerimaj, për t’u ngjitur në pedanë.