7 mars 2015 – Erkand Qerimaj dhe Shqiponja Brahja do të jenë dy sportistët e vetëm shqiptarë që do të marrin pjesë në Europianin e Peshëngritjes që do të mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, nga data 10 deri më 18 prill. Pas dyshimeve për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë aktivitet, për shkak se FSHP-ja nuk kishte kryer në kohë regjistrimin e sportistëve, ka qenë vetë Federata Europiane e Peshëngritjes që ka bërë të ditur pjesëmarrjen e dy sportistëve shqiptarë duke lajmëruar emrat e tyre në kalendarin dhe kategoritë respektive. Shqiponja Brahja, do të garojë në peshën 48 kilogramë dhe në bazë të rezultateve më të mira të publikuara për peshëngritëset pjesmarrëse mund të pretendojë dhe për medalje, ndërkohë që Qerimaj që është kampion Europe në fuqi do të garojë ne peshën 77 kilogramë, ku do të ketë si rival armenin Tigran Martyrosyan, medalje e bronxtë në Olimpiadën e Pekin 2008 dhe kampion Europe në 2010 . Ky Europian mund të jetë dhe një mundësi e mirë për Shqipërinë, për të larguar njollën e Botërorit të fundit të Kazakistanit, ku tre sportista rezultuan pozitiv me doping për kombëtaren shqiptare dhe pse pozitiviteti i tyre ende nuk është konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





