24 shkurt 2015 –  Shqipëria rrezikon sëriozisht pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që do të zhvillohet prillin e ardhshëm në Tbilisi të Gjeorgjisë. Kërcënimi këtë herë nuk vjen nga dopingu, por nga mangësitë organizative të Federatës Shqiptare në ndjekjen e procedurave në lidhje me Federatën Europian. Shqipëria i shpëtoi një  furtune disiplinore në lidhje me rastet e dopingut, por tashmë rrezikon të mos marrë pjesë në Europian për shkak të mosplotësimit në kohë nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes të listës me emrat e sportistëve që do të marrin pjesë në eventin kontinental.

Pas skadimit të afatit për të plotësuar listën e akreditimit të sportistëve shqiptarë Federata Shqiptare i ka kërkuar fjalëkalimin dhe kodin për të kryer me postë elektronike Federatës europiane. Në përgjigje të kësaj kërkese Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane Hasan Akkus i ka dërguar në datën 20 shkurt një emal palës shqiptare ku nënvizon  se pavarësisht shumë emaileve ku i kujtonte Federatës shqiptare afatet për plotësimin e procedurave nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e saj, duke komunikuar se afati përfundimtar për rregjistrimin e sportistëve ka qenë data 6 shkurt, dhe pas saj sekretariati i Federatës europiane nuk mund të pranojë më asnjë listë. Veç të tjerash Burime pranë FSHP bënë të ditur se pas këtij komunikimi tashmë shpresojnë për të gjetur mirekuptimin e Federatës europiane për shkak të problematikës që ka përjetuar peshëngritja shqiptareve pas rasteve të dopingut . Pak ditë më parë FSHp bëri të ditur se për të përfaqësuar shqipërinë në Tbilisi janë përzgjedhur 3 sportistë, Erkand Qerimaj, Sopot Sula dhe Shqiponja Brahja, por tashmë pjesëmarrja e tyre në Europian është seriozisht në pikëpyetje.