Teuta ka fituar kupën e Shqipërisë në peshëngritje, aktivitet i zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Teuta e dominoi aktivitetin dhe ka marrë pjesë në këtë kupë me sportistët e vet më të mirë si dhe me dy ekipe Teuta A dhe Teuta B.

Në fund peshëngritësit durrsakë kanë fituar edhe kupën. Sportisti më i mirë për ekipin durrsak ishte Krenar Shoraj i cili jo vetëm ishte më i miri në këtë aktivitet por është edhe pretendent për medalje ari në kampionatin evropian që do të zhvillohet në Moskë më 4 prill.

Vendin e dytë në këtë event e mori Elbasani ndërsa në vendin e tretë u rendit Tirana ku dy peshëngritësit e saj më të mirë nuk arritën të garojnë si duhet pasi Erkand Qerimaj u tërhoq nga gara për arsye shëndetësore ndërsa Daniel Godelli konkurroi vetëm në stilin e shëputjes dhe nuk mori pjesë në atë të shtytjes.

E veçanta në këtë aktivitet ishte garimi për ekipin durrsak i drejtorit të klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, peshëngritës i njohur i cili dikur ka qenë kampion dhe rekordmen kombëtar. Por Leka edhe pse 43-vjeçar nuk i ndahet këtij sporti ku në arenën ndërkombëtare konkuron në kategorinë e veteranëve duke dalë kampion Mesdheu vetëm 4 muaj më parë.

Ndërsa në kupën e Republikës, Leka ka surprizuar duke garuar jo për veteranët por për ekipin të cilin e ka ndihmuar me pikët e tij duke dalë i treti edhe pse rivalë nuk kishte sportistë veteranë por sportistë kampionë dhe të moshave 25 deri në 30 vjeç.

Në këtë mënyrë Teuta ka dominuar totalisht këtë evenimet duke e merituar plotësisht kupën. Megjithatë pavarësisht këtij suksesi, drejtuesi i klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, pasi ka thënë fjalët më të mira për sportistët durrsakë që korrën sukses, ekskluzivisht për “DurrësLajm” ka shprehur pakënaqëinë e tij për mënyrën e organizimit të këtij eventi nga federata.

Sipas Lekës në këtë aktivitet federata duhet të pranojë sportistë cilësorë duke vënë një normë të caktuar dhe jo të garojnë peshëngritës pafund siç ndodhi në këtë rast ku brenda një dite garuan rreth 120 peshëngritës. Sipas Lekës kjo solli një lodhje tek sportistët pasi garat kanë vazhduar deri në orën 23.30 dhe ceremonia e fituesve u zhvillua në 12 të natës.

Leka thekson se federata duhet të mendojë më mirë për këto organizime dhe të pranojë vetëm sportistët më të mirë ose të ndajë aktivitetin në dy ditë që të mos ndodhë më ky lloj organizimi rraskapitës dhe kaotik.