Boksierët durrsakë kërkojnë titullin kampion në Vlorë. Ekipi ka në përbërjen e tij djem të talentuar e me objektiva të qarta. Falë tyre peshëngritja mund të kthehet sport elitar në Durrës.

Më 25 prill të këtij viti, në Vlorë është menduar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, të organizohet kampionati kombëtar i këtij sporti për të rinj. Teuta e Durrësit udhëton në drejtim të Vlorës me bindjen e plotë, për t’u rikthyer me titullin kampion. Janë 8 peshëngritës, që të drejtuar nga Besnik Psatha dhe kolegu i tij Kreshnik Leka kërkojnë të mos lëvizin nga pozicioni i vendit të parë.

Është Besnik Psatha që falë përkushtimit dhe sakrificës, punon me peshëngritjen durrsake prej vitesh. Me punën e gjatë dhe këmbëngulëse, krijoi një grup të ri peshëngritësish të cilët kërkojnë afirmimin nëpërmjet ballafaqimeve në nivele të arrira. Në kategorinë e të rinjve të moshës deri në 20 vjeç, durrsakët kanë pronësuar për dy vite radhazi titullin kampion.

Dhe tani në Vlorë kërkojnë të konfirmojnë përsëri, pozicionin e fituesit të kampionatit. Po cilët janë peshëngritësit që përbëjnë Teutën e tanishme, që kërkon të ngrihet nëpërmjet sfidës me të tjerët? Në peshën 56 kg Bruno Nuho kërkon vetëm vendin e parë. Ish-rekordmeni i njohur Kreshnik Leka, mësues i specialitetit të peshëngritjes në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës tregon për Brunon se që tani punon me objektiva të avancuara.

“Ky peshëngritës,- thekson Leka,- do t’ia zbardhë faqen jo vetëm Durrësit, por edhe mbarë vendit. Shënojeni pa ngurrim, se Nuho do të jetë pjesëmarrës në lojrat olimpike Brazil 2016. Përveçse është talent, punon shumë dhe ecuria e tij ndjehet nga dita në ditë”. Në këtë peshë për Teutën konkuron edhe peshëngritësi Armando Tata. Është 17 vjeç dhe kërkon të rrëmbejë medaljen e vendit të tretë.

Ardian Murataj është regjistruar në peshën 69 kg. Objektivi i tij është vendi i parë. Është kampionati i fundit për këtë moshë dhe më tej Murataj mat forcën në kategorinë e të rriturve. Në garën e 77 kilogramëve Teuta përfaqësohet me dy peshëngritës: Gerian Tuda dhe Jetmir Hoxha. Mosha e re nuk ia mundëson objektivin e vendit të parë, por ekipi paraqet domosdoshëmri për pikët e pritshme të tyre.

Në tri peshat e rradhës, 85 kg, 94 kg dhe +105 kg Teuta kërkon të vendosë supermacinë. Në 85 kg, 19 vjeçari Elson Muharremi kundërshtarët pritet t’i ketë pas vetes. Në këtë pozicion është edhe Jurgen Hoxha, të cilin e shoqëron një pasion dhe vullnet i jashtëzakonshëm për peshëngritjen në peshën 94 kg.

Klajdi Çela i takon peshës së rëndë, ku ndonëse është i fundit në konkurrim, përcakton vendin e parë të Teutës. “Me këta djem të urtë dhe punëtorë,- thotë trajneri Besnik Psatha,- Teuta siguron titullin kampion në konkurimin e 25 prillit. Objektivat tona nuk tentojnë të krijojnë avantazhin mbi të tjerët vetëm në këtë moshë, por edhe me të rriturit. Do të kërkojmë të shkojmë në rrugën e pasur të sukseseve të hapura me aq mund dhe përpjekje nga peshëngritës të tillë të nivelit si Erlin Nikolla, Fatmir Shytaj, Qamil Qato, Përparim Mustafaraj etj. Kushtet ku stërviten sportistët tanë, janë nga më të mirat në vendin tonë dhe kombinuar kjo me ambicjen e tyre, kemi shanse që peshëngritja të kthehet sport elitar në Durrës”.